
A po tërhiqen Shtetet e Bashkuara nga kërkesat e Izraelit në negociata? Ky të paktën është përshtypja nga deklaratat e Ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, komentet e Presidentit Donald Trump në ditët e fundit dhe një raporti të CBS mbi synimet e të dërguarit të SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Araghchi tha të premten në një intervistë për MSNBC se Shtetet e Bashkuara nuk kërkuan që Irani të pajtohej me “pasurimin zero të uraniumit” gjatë bisedimeve në Gjenevë, dhe as nuk kërkuan që Teherani të pezullonte pasurimin. Sipas tij, diskutimet u fokusuan në hapat që mund t’i provonin Uashingtonit se programi bërthamor i Iranit është i destinuar “vetëm për qëllime paqësore dhe do të mbetet i tillë përgjithmonë”.
Ai argumentoi se “nuk ka zgjidhje ushtarake” për programin bërthamor të Iranit dhe se diplomacia është e vetmja rrugë përpara. “Irani është gati si për negociata, ashtu edhe për luftë,” tha ai, duke shtuar se një draft i kornizës së re që Shtetet e Bashkuara po presin nga Teherani do të jetë gati “brenda dy deri në tri ditë”. Pasi të marrë miratimin e nevojshëm, tha ai, do t’ia përcjellë atë Uashingtonit, duke hapur potencialisht rrugën për një raund tjetër bisedimesh.
Araghchi tha gjithashtu se Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi, po luan një “rol konstruktiv” në negociata.
Më herët, CBS raportoi se “propozime unike” u ngritën në bisedimet indirekte midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në lidhje me programin e tij bërthamor, aftësitë e tij të pasurimit dhe stokun e tij të uraniumit të pasuruar, si dhe mënyrat për të arritur një marrëveshje që do të ishte “ekonomikisht e dobishme” për të dyja vendet. Në këtë kontekst, Ministri iranian i Naftës, Mohsen Paknejad, u përgjigj “çdo gjë është e mundur” kur u pyet nëse bashkëpunimi midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në sektorin e naftës dhe gazit mund të ishte i realizueshëm.

Dy burime rajonale thanë se diplomatët e këshilluan Witkoff-in të ndante programin bërthamor nga çështjet e tjera në negociata, si mbështetja e regjimit për milicitë në Lindjen e Mesme, përfshirë Houthit dhe Hezbollahun, si dhe stokun e raketave balistike të Iranit.
Dy burimet thanë se Witkoff dukej se kishte adoptuar idenë e trajtimit të këtyre çështjeve në një “pistë diplomatike të veçantë”, së bashku me aktorët rajonalë. Përveç kësaj, zyrtarë amerikanë dhe diplomatë rajonalë i thanë CNN se dhëndri i Trump dhe ish-i dërguari për Lindjen e Mesme, Jared Kushner, ende shpreson se një “marrëveshje bërthamore” me Iranin mund të arrihet.
Izraeli, megjithatë, ka kërkuar që negociatat të mos fokusohen vetëm në zgjidhjen e çështjes bërthamore, por të adresojnë edhe raketat balistike të Iranit dhe proksit (aleatët) e tij rajonalë.
Vetë Trump në ditët e fundit është treguar i kujdesshëm duke përmendur vetëm programin bërthamor, pa iu referuar çështjes së raketave, për të cilën më parë kishte thënë se ishte pjesë e bisedimeve. Vetëm dje, duke injoruar çështjet e tjera në diskutim, ai tha se Irani nuk duhet të sigurojë një armë bërthamore dhe se nuk mund të ketë paqe në Lindjen e Mesme nëse ai e bën këtë.
Më vonë ai përsëriti paralajmërimin e tij se pasoja të rënda do të pasonin nëse Irani nuk bën kompromis në negociata, duke shtuar se Teherani duhet të arrijë një marrëveshje.
Ndërkohë, sipas CNN, ushtria amerikane mund të jetë e përgatitur të godasë Iranin që këtë fundjavë, megjithëse zyrtarët dhe diplomatët amerikanë nuk besojnë se një veprim i tillë do të ndodhë “menjëherë”. Raporte të tjera sugjerojnë se Trump mund të urdhërojë së shpejti sulme, ndoshta “të kufizuara”, si pjesë e një përpjekjeje për të presionuar Iranin drejt arritjes së një marrëveshjeje.
Raportet e mëparshme thonin se presidenti mund të urdhëronte një sulm me synim shkatërrimin e raketave të Iranit, objekteve bërthamore dhe ndoshta edhe vetë regjimit, në një konfrontim që do të zgjaste të paktën disa javë dhe mund t’i përfshinte Shtetet e Bashkuara në një luftë të re në Lindjen e Mesme, shkruan Ynet.
Ndërsa Trump i mban letrat e tij të fshehura, anija luftarake USS Mahan, pjesë e grupit të sulmit të aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford, transmetoi sinjale të premten në Ngushticën e Gjibraltarit, duke treguar se po hyn në Detin Mesdhe. Ajo do t’u bashkohet forcave të konsiderueshme amerikane të grumbulluara tashmë në Lindjen e Mesme, grumbullimi më i madh që nga lufta e Irakut në vitin 2003, me një kosto të ndjeshme.