
Presidenti francez Emmanuel Macron ka kundërshtuar komentet e kryeministres italiane Giorgia Meloni lidhur me vrasjen e aktivistit të krahut të djathtë francez, Quentin Deranque.
Deranque, një student i matematikës, vdiq nga plagët e tij të shtunën pas një përleshjeje mes grupeve rivale në qytetin e Lionit, në juglindje të Francës. Sipas Le Monde, shumica e 11 të dyshuarve të ndaluar janë nga lëvizjet e krahut të majtë.
Të mërkurën, Meloni tha se vrasja e Deranque ishte “një plagë për të gjithë Evropën”, duke denoncuar “klimën e urrejtjes ideologjike që po përfshin disa kombe”.
Macron tha se “asgjë nuk mund të justifikojë veprimet e dhunshme”, duke shtuar se të gjithë duhet të “qëndrojnë në korsinë e tyre”.
“Gjithmonë më habit fakti që njerëzit që janë nacionalistë, të cilët nuk duan që askush t’i shqetësojë në shtëpinë e tyre, janë gjithmonë të parët që komentojnë atë që ndodh gjetkë,” tha Macron të enjten gjatë një vizite në Nju Delhi, shkruan Rt.
Meloni u shpreh e xhindosur nga reagimi i Macron.
“Fokusi im nuk është te Franca, por te rreziqet e polarizimit në shoqëri. Ndërhyrja është diçka tjetër,” tha ajo për Sky TG24.
Ministri i Brendshëm francez Laurent Nunez dhe ministri i Drejtësisë Gerald Darmanin ia faturuan vrasjen e Deranque aktivistëve të “ultra të majtës”. Mbështetësit e Deranque e përshkruan vdekjen e tij si një “linçim” dhe thanë se u sulmuan nga një turmë ndërsa po përpiqeshin të protestonin kundër një aktiviteti të organizuar nga një politikan i partisë së majtë La France Insoumise (LFI).
Një video e incidentit tregon një përleshje mes dy grupeve, me disa persona që godasin me grushte dhe shkelma një burrë të shtrirë në tokë.
Të enjten, zyra e prokurorit të Lionit tha se dy burra janë akuzuar për vrasje, ndërsa Jacques-Elie Favrot, një asistent i një ligjvënësi të LFI-së, u akuzua për “bashkëpunim përmes nxitjes”.
Partia La France Insoumise mohoi çdo lidhje me krimin dhe akuzoi autoritetet për “manipulim politik”.