Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali prezanton ligjin për Shërbimin e Jashtëm: Shqipëria sot flet dhe merr përgjegjësi në arenën ndërkombëtare



Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi nga foltorja e Kuvendit se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të rolit të saj ndërkombëtar, gjatë prezantimit të projektligjit “Për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas saj, Shqipëria nuk është më një vend që pret në korridoret e diplomacisë, por një aktor që propozon, ndërmjetëson dhe merr përgjegjësi në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria nuk është më një vend që pret në korridoret e diplomacisë ndërkombëtare. Shqipëria është një vend që flet, propozon, ndërmjetëson dhe merr përgjegjësi,” u shpreh Spiropali.

Ministrja theksoi se ky ndryshim është rezultat i një transformimi të thellë politik, institucional dhe diplomatik, i udhëhequr nga Kryeministri Edi Rama, duke shtuar se Shqipëria sot ka zë, iniciativë dhe besueshmëri ndërkombëtare.

“Kemi qenë një vend që kërkonte vëmendje, por nuk kishim gjithmonë peshën për ta tërhequr atë. Një vend që trokiste në dyer, por shpesh nuk e dinte si të hynte brenda. Nga një vend që luftonte për statusin kandidat, sot jemi një vend që synon mbylljen e negociatave brenda vitit 2027. Nga një vend që shihej si problem, sot jemi një vend që kërkohet si partner në tryezat ndërkombëtare,” deklaroi ajo.

Sipas Spiropalit, Shqipëria tashmë propozon iniciativa rajonale, ndërmjetëson dialog dhe merr përgjegjësi ndërkombëtare.

Duke iu referuar zhvillimeve globale dhe sfidave të sigurisë, Spiropali tha se Shqipëria ka zgjedhur qartë orientimin e saj strategjik: anëtarësimin në Bashkimin Europian, përforcimin e aleancës transatlantike dhe një rol aktiv për stabilitetin në rajon.

“Sot jetojmë në një botë më të pasigurt se ajo që njihnim vetëm pak vite më parë. Lufta është rikthyer në kontinentin europian. Në këtë realitet të ri, shtetet nuk gjykohen më vetëm nga madhësia e tyre, por nga qartësia e orientimit të tyre, nga besueshmëria si partnerë dhe nga aftësia për të marrë përgjegjësi. Shqipëria ka zgjedhur rrugën e saj me qartësi: anëtarësimin në Bashkimin Europian, përforcimin e aleancës transatlantike dhe një rol aktiv për stabilitetin në rajon. Kjo nuk është më një aspiratë abstrakte. Është një projekt konkret shtetëror,” theksoi ministrja.

Projektligji për Shërbimin e Jashtëm synon, sipas qeverisë, modernizimin dhe forcimin e diplomacisë shqiptare në përputhje me objektivat strategjikë të vendit.