
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në deklarimin e tij përfundimtar para Dhomat e Specializuara në Hagë, u shpreh se drejtësia, edhe kur vonon, nuk mund të mohohet.
Veseli deklaroi se veprimet e tij kanë qenë njerëzore dhe ligjore, duke theksuar se gjykata duhet të mbrojë të vërtetën, drejtësinë dhe paanësinë. Ai shtoi se i është bashkuar UÇK-së për lirinë e Kosovës dhe se, pavarësisht periudhave të vështira, nuk e ka humbur besimin se e vërteta do të triumfojë.
“Unë e di kush jam, çfarë kam bërë e çfarë nuk kam bërë… Veprimet e mia kanë qenë njerëzore dhe ligjore”, ka thënë ai.
“Kjo nuk është thjesht një detyrë ligjore, është kontributi i saj i madh dhe trashëgimia që do të mbetet prej kësaj gjykate.
Ky është edhe shkkau që ju bashkova atyre mijëra grave dhe burrave që u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e Kosovës, dhe pse i kam shërbyer gjithë jetën time vendit tim që çdo qytetarë të gëzojë drejtësi dhe që bota ta njohë të vërtetën për kombin tonë.
Edhe ne momentet më të errëta nuk e humba besimin se e vërteta do të triumfojë. Liria nuk mund të arrihet prej padrejtësisë. Familja ime dhe unë kemi jetuar në persekutim të vazhdueshëm.
Unë e di çka do të thotë të jetosh në kërcënim të vazhdueshëm, kjo është një përvojë qe nuk do të ia dëshiroj askujt. Pas dekadash hetime dhe dokumentesh, nuk ka asnjë provë se kam kryer krime”, shtoi Veseli.
Veseli ka thënë se ka besuar gjithmonë se populli i Kosovës si çdo popull tjetër në botë kishte të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar në liri dhe me dinjitet.
“Kam besuar se vuajtjet do të merrnin fund dhe se drejtësia do të vinte edhe nëse vjen me vonesë. Në të njëjtën kohë kurrë nuk kam besuar se dhuna, urrejtja, apo hakmarrja mund të jenë udhërrëfyes të ndershëm, ato shkatërrojnë shpirtin e një populli jo vetëm të viktimës.
Urrejtja është vetëm një formë tjetër e robërisë, liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë, as paqja nuk mund të ndërtohet mbi krim, një kauzë e drejtë nuk mund të mbrohet me mjete të padrejta. Ky nuk ka qenë vetëm një parim teorik për mua por një bindje e thellë morale që ka udhëhequr secilin veprim timin”, ka thënë Veseli.
Në fjalën e tij përmbyllëse në Hagë, Veseli tha se pjesëmarrja e tij në luftë nuk ka lindur prej dëshirës për konflikt.
Veseli tha se si student dhe qytetar i Kosovës, ai dhe bashkëqytetarët e tij u përjashtuan nga universitetet dhe përjetuan mohim të të drejtave themelore, ndërsa autonomia e Kosovës u shfuqizua.
“Si njeri kam dëshiruar edhe unë një jetë të thjeshtë, të jetoja në vendin tim me dinjitet, në paqe me familjen time. Kam qenë student kur është shfuqizuar autonomia e Kosovës dhe universiteti u sulmua prej forcave serbe, kam marrë pjesë në aktivitetet paqësore për mbrojtjen e të drejtave tona themelore por të gjitha këto të drejta na janë mohuar.
Autonomia e Kosovës u hoq, ne studentët u përjashtuam nga konviktet dhe fakultetet e profesorët tanë u përjashtuan të gjithë. Populli ynë u privua prej mundësive më elementare për të jetuar si qytetarë të lirë dhe të barabartë”, tha Veseli.
Veseli tha se largimi i tij nga Kosova në fillim të viteve ’90 ishte i detyruar, ndërsa vendi po përjetonte vuajtje të thella nën represion. Sipas tij, pas Marrëveshjes së Dejtonit, shqiptarët e Kosovës mbetën të përjashtuar dhe jetonin nën kërcënim të vazhdueshëm, pa liri dhe të nënshtruar ndaj dhunës shtetërore.
“Serbia edhe Sllobodan Millosheviçi kërkonin kontrollin mbi të gjithë popujt e Jugosllavisë, kjo tendencë dërgoi pastaj në epokën e luftërave dhe urrejtjes të ish-Jugosllavisë që çoi drejt shkatërrimit edhe të vetë saj.
Në fillim të viteve 1990 unë jam larguar nga Kosova, ka qenë një largim i detyruar por edhe një mundësi për një jetë më normale, për një të ardhme të ndërtuar mbi dije e përparim por derisa unë jetoja në një vend më të lirë vendi im po përjetonte vuajtje të thella në robëri.
Gjendja në Kosovë u shndërrua në mohim dhe në përjashtim të shumicës. Pas marrëveshjes së Dejtonit shqiptarët në Kosovë si shumicë kanë mbetur krejt të përjashtuar, nuk mund të jetonin lirshëm por vetëm mbijetonin nën kanosje, kërcënim edhe represion”.