Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali pret Komisionin e Jashtëm të PE-së: Viti 2026 vendimtar për objektivat e përbashkëta


Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi sot një takim në ambientet e ministrisë me një delegacion të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamenti Europian (AFET), i udhëhequr nga kryetari i tij, David McAllister.

Bisedimet u përqendruan në progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe në mbështetjen që Parlamenti Europian ka dhënë dhe vijon të japë në këtë proces.

Palët theksuan rëndësinë e vazhdimit të reformave me ritëm të qëndrueshëm dhe rezultate konkrete, duke e konsideruar vitin 2026 si moment vendimtar për realizimin e objektivave të përbashkëta.

Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali bëri të ditur se diskutimet me eurodeputetët u ndalën edhe te zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit me institucionet evropiane, përfshirë Parlamentin Europian, në të gjitha dimensionet, në kuadër të statusit aktual si vend kandidat dhe perspektivës për anëtarësim të plotë.

“Kënaqësi të prisja sot në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme delegacionin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), të kryesuar nga Kryetari, David McAllister.

Patëm një bisedë të njëmendtë mbi:

* Ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe rolin e veçantë e mbështetës të Parlamentit Europian;

* Nevojën për të vijuar me vendosmëri reformat, për të maksimalizuar rezultatet, me vitin 2026 kyç për jetësimin e planeve të bashkëdakordësuara.

* Rëndësinë e linjëzimit të plotë të politikës sonë të jashtme me atë të përbashkët të BE-së, si investim madhor në forcimin e bashkëpunimit;

* Mënyrat për zgjerimin e mëtejshëm dhe diversifikimin e bashkëpunimit me të gjitha institucionet europiane, përfshirë Parlamentin Europian, në çdo fushë e aspekt — sot si vend kandidat dhe së shpejti si vend anëtar — në të mirën dhe të ardhmen e përbashkët, për t’u bërë ballë sfidave dhe paparashikueshmërisë globale në rritje.

I falënderova për mbështetjen e procesit të zgjerimit dhe anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si një investim i vyer për paqen, sigurinë dhe begatinë e kontinentit tonë.”