
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e djeshme në Kukës, ku një nxënës i shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri” ka mbetur i plagosur pranë ambienteve të shkollës.
Sipas informacioneve, i mituri po luante me top në oborrin e shkollës, e cila është në proces rikonstruksioni, kur është dëmtuar nga inertet që e kanë zënë poshtë.
Policia ka nisur procedim penal për drejtuesin teknik dhe një punonjës të firmës që po kryente punimet.
Në njoftimin zyrtar thuhet:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi për shtetasit:
K. K., 26 vjeç, banues në Kukës, për veprën penale ‘Plagosja e lehtë nga pakujdesia’, punonjës i firmës që po kryen punimet për rikonstruksionin e një objekti pranë shkollës së mesme në qytetin e Kukësit, pasi dje, gjatë kohës që ka hedhur inerte, është dëmtuar një nxënës 11-vjeç, i cili kishte kaluar perimetrin e sigurisë. Ai po merr mjekim në Spitalin e Traumës dhe nuk ka probleme për jetën.
A. D., 62 vjeç, drejtuesi teknik i firmës që po kryen punimet për rikonstruksionin e objektit, për veprën penale ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’.”
I mituri ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës dhe, sipas autoriteteve, është jashtë rrezikut për jetën.