Vendosni fjalën kyçe....

“Kosova ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes” – Begaj uron 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës



Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë sot në seancën solemne që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, në nder të 18-vjetorit të Pavarësisë. Ai u shpreh se gëzimi i kësaj feste prek sot çdo shqiptar dhe theksoi se Kosova ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes, duke mos harruar të shkuarën dhe sakrificat e bëra.

“Çdo familje shqiptare sot ndihet pjesë e festës, gëzimit dhe krenarisë. Sot është një ditë e madhe, Kosova mbush 18 vjeç. Në jetën e një njeriu kjo është mosha e pjekurisë, momenti kur ëndrrat e fëmijërisë marrin formën e përgjegjësisë. Ky përvjetor është dëshmi se Kosova është tashmë realitet. Kosova ecën sot me hapa të sigurt drejt së ardhmes pa harruar të shkuarën dhe sakrificat e bëra. Kosova është histori e jetuar suksesi që na bën krenar, ne dhe partnerët. Mendimi ynë është me ata që dhanë jetën për liri, por edhe me ata që po përballen me një betejë të padrejtë në Hagë! Ata që dje udhëhoqën popullin drejt lirisë, po përballen në Hagë me akuza të montuara, duke na bërë të gjithë të ndjehemi të fyer”, tha presidenti Begaj.

Gjatë fjalës së tij, Begaj nënvizoi rëndësinë e kujtesës historike dhe sakrificës së brezave që e bënë të mundur shtetin e Kosovës, duke theksuar se dita e sotme nuk është vetëm festë, por edhe reflektim mbi rrugëtimin e gjatë për liri dhe pavarësi.

Ceremonitë zyrtare për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës vazhduan me ngritjen solemne të flamurit shtetëror para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në praninë e presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentares Albulena Haxhiu. Gjatë ceremonisë u përkujtuan sakrificat e familjes Jashari, presidentit historik Ibrahim Rugova dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për liri dhe shtetësi.

Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 u konsiderua kulmi i një rrugëtimi të gjatë të popullit shqiptar në Kosovë, pas përpjekjeve për statusin përfundimtar dhe pas një periudhe administrimi ndërkombëtar nga UNMIK. Procesi i Ahtisaarit dhe mbështetja e komunitetit ndërkombëtar çuan drejt krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës.

Ndërkohë, në Hagë po vijon gjyqi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar për krime lufte dhe kundër njerëzimit, ku Prokuroria Speciale ka kërkuar 180 vite burg në total për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin. Në mbështetje të ish-krerëve, sot në Prishtinë është thirrur protestë nga platforma “Liria ka Emër”, ku pritet të marrin pjesë edhe figura të larta shtetërore.

Mesazhet ndërkombëtare për 18-vjetorin e Pavarësisë kanë ardhur nga presidenti amerikan Donald Trump, mbreti Charles III, presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidenti italian Sergio Mattarella, të cilët kanë uruar Kosovën për këtë përvjetor dhe kanë rikonfirmuar mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Kosova sot feston 18 vite shtet të pavarur, duke reflektuar mbi historinë, sakrificën dhe zhvillimet e arritura gjatë këtyre dy dekadave.