
Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, deklaroi se qeveria e tij nuk do të ofrojë ndihmë apo riatdhesim për qytetarët australianë që prej vitesh mbahen në kampin e ndalimit Roj, në verilindje të Sirisë, përcjell DW.
Kampi Roj strehon gra dhe fëmijë të personave të dyshuar për lidhje me të ashtuquajturin grupi “Shteti Islamik” (IS). Në një intervistë për transmetuesin kombëtar australian Australian Broadcasting Corporation (ABC), Albanese u shpreh se qeveria mban një qëndrim të prerë për të mos ofruar asistencë.
“Nuk kemi asnjë simpati për njerëzit që udhëtuan jashtë vendit për të marrë pjesë në përpjekje për të krijuar një kalifat që synonte të shkatërronte mënyrën tonë të jetesës,” tha ai, duke shtuar se është për të ardhur keq që edhe fëmijët preken nga kjo situatë.
Deklaratat e kryeministrit erdhën një ditë pasi një grup prej 34 grave dhe fëmijëve australianë nga 11 familje, të liruar nga kampi Roj, u detyruan të ktheheshin sërish në qendrën e ndalimit.
Familjet po udhëtonin drejt Damaskut me shpresën për të organizuar kthimin në Australi, por autoritetet siriane nuk i lejuan të vazhdonin rrugën. Sipas mediave australiane, konvoji shoqërohej nga Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, të cilat kanë kontrolluar kampin.
Drejtori i kampit Roj, Hakmiyeh Ibrahim, theksoi se përpjekjet për riatdhesim po organizoheshin nga familjarët dhe jo nga autoritetet australiane. Ai shtoi se personat e kthyer të hënën ishin australianët e fundit në kamp.
Kampi Roj strehon bashkëshortet, vejushat dhe fëmijët e personave me lidhje të dyshuara me IS. Shumë prej tyre ndodhen aty që nga fundi i vitit 2018 dhe fillimi i vitit 2019, pas rimarrjes së territoreve nga IS nga ana e SDF-së me mbështetjen e koalicionit të udhëhequr nga SHBA.
Organizata Human Rights Watch ka paralajmëruar vazhdimisht për kushtet e rënda në kamp, duke i cilësuar ato si aq të rënda sa mund të përbëjnë trajtim çnjerëzor. Edhe Save the Children ka kërkuar riatdhesimin e fëmijëve, duke theksuar se ata nuk duhet të ndëshkohen për shkak të lidhjeve familjare.
Sipas të dhënave të fundit, në kamp ndodheshin rreth 2,400 gra dhe fëmijë nga 40 deri në 50 vende të botës, me shtetasit rusë që përbëjnë grupin më të madh.
Qeveria e Albanese kishte riatdhesuar në tetor 2022 trembëdhjetë fëmijë australianë së bashku me katër nënat e tyre. Ndërsa në vitin 2019, qeveria e mëparshme kishte kthyer tetë fëmijë të tjerë në Australi.
Megjithatë, aktualisht qeveria australiane ka bërë të qartë se nuk do të ndërmarrë hapa të tjerë për kthimin e shtetasve të mbetur në Siri.