![]()
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u zotua të dielën për të thelluar bashkëpunimin me Europën Qendrore, ndërsa nisi një vizitë në Sllovaki dhe Hungari, udhëheqësit konservatorë të të cilave gëzojnë marrëdhënie të ngrohta me Presidentin Donald Trump.
Në Sllovaki — e cila, ashtu si Hungaria, mbështetet te nafta dhe gazi rus dhe ka marrëdhënie të vështira me pjesën tjetër të Bashkimit Europian — Rubio diskutoi për energjinë dhe mbrojtjen me Kryeministrin Robert Fico dhe Presidentin Peter Pellegrini. Kjo ishte vizita e parë në shtatë vite e një sekretari amerikan shteti në vendin me 5.5 milionë banorë që kufizohet me Ukrainën.
“Nën Presidentin Trump, kjo administratë do ta bëjë jo vetëm Sllovakinë, por mbarë Europën Qendrore një komponent kyç të mënyrës se si ne angazhohemi me kontinentin dhe botën,” tha Rubio. “Ne nuk do të mjaftohemi vetëm me takime dhe mirësjellje, por me veprime konkrete që do të ndërmarrim së bashku në mënyra që janë të dobishme për popullin tuaj dhe tonin.”
Rubio ndërthur kritikët ndaj Europës me mesazhin e unitetit
Të shtunën, Rubio, i cili shërben gjithashtu si këshilltar i Trump-it për sigurinë kombëtare, dha një mesazh uniteti në Konferencën e Sigurisë në Mynih, duke ruajtur njëkohësisht kritikat e administratës ndaj Europës pas një viti të vështirë për lidhjet transatlantike.
Kritikat e Trump-it ndaj Europës, vendosja e tarifave ndaj vendeve të BE-së dhe ambicia e tij për të blerë Grenlandën nga Danimarka (anëtare e NATO-s), kanë shtyrë udhëheqësit e Europës Perëndimore të shohin gjithnjë e më shumë drejt krijimit të një rruge të pavarur.
“Ne presim që çdo vend në botë të veprojë në interesin e vet kombëtar. Kjo është ajo që vendet duhet të bëjnë,” tha Rubio. “Kur interesat tona kombëtare përputhen… kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për bashkëpunim dhe partneritet.”
Fico, i cili ka deklaruar se Bashkimi Europian është në “krizë të thellë”, vizitoi Trump-in muajin e kaluar në Florida dhe e mbuloi presidentin republikan me lëvdata, duke thënë se ai do të sillte paqen. Të dy, Fico dhe Kryeministri hungarez Viktor Orban, me të cilin Rubio do të takohet të hënën në etapën e dytë të udhëtimit të tij, janë akuzuar nga institucionet e BE-së për dobësim të gjyqësorit, medias dhe zbatimit të ligjit kundër korrupsionit.
Takimi me Orban të hënën
Në deklaratat përpara nisjes nga Uashingtoni të enjten, Rubio tha se Trump është shumë mbështetës ndaj Orban-it, i cili rezulton prapa në shumicën e sondazheve përpara zgjedhjeve të prillit, ku ai mund të votohet jashtë pushtetit.
Orban, një nga aleatët më të ngushtë të Trump-it në Europë, konsiderohet nga shumë njerëz të krahut të djathtë amerikan si një model për politikat e rrepta të presidentit të SHBA-së mbi imigracionin dhe mbështetjen për konservatorizmin kristian. Budapesti ka pritur vazhdimisht eventet e Konferencës së Veprimit Politik Konservator (CPAC), të cilat mbledhin aktivistë dhe udhëheqës konservatorë, me një tjetër aktivitet të planifikuar për në mars.
Ndërsa vendet e tjera të Bashkimit Europian siguruan furnizime alternative të energjisë pas pushtimit të Ukrainës nga Moska në vitin 2022, përfshirë blerjen e gazit natyror nga SHBA, Sllovakia dhe Hungaria kanë vazhduar të blejnë gaz dhe naftë ruse, një praktikë që SHBA-ja e ka kritikuar. Rubio tha se kjo do të diskutohej gjatë turit të tij të shkurtër.
Mbi bashkëpunimin bërthamor, Sllovakia nëshkroi një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar. Fico tha se shpreson që një marrëveshje me kompaninë Westinghouse (me bazë në SHBA) të nënshkruhet vitin e ardhshëm, gjë që do të çonte në një konsorcium për ndërtimin e një impianti të ri bërthamor në Sllovaki deri në vitin 2040. Ai shtoi se Sllovakia dëshiron të blejë edhe katër avionë luftarakë F-16.
Hungaria dhe Sllovakia kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes në pragun minimal të NATO-s prej 2%, në vend të 5% të GDP-së që Trump ka kërkuar nga të gjithë anëtarët e NATO-s. Fico tha se Bratislava ishte e vetëdijshme se duhej të rriste aftësitë e saj ushtarake dhe po punonte për këtë, shkruan Reuters.
Fico u nda nga qëndrimi i Uashingtonit në një fushë, kur kritikoi kapjen nga SHBA të Presidentit venezuelian Nicolas Maduro në fillim të janarit. Kur u pyet për këtë çështje në konferencën për shtyp, Rubio e anashkaloi ndryshimin e mendimeve.
“Shumë vendeve nuk u pëlqeu ajo që bëmë në Venezuelë. Kjo është në rregull. Ajo ishte në interesin tonë kombëtar… E çfarë pastaj? Kjo nuk do të thotë se nuk do të jemi miq,” tha Rubio.