Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali në Mynih: Bashkëpunimi ekonomik dhe mbështetja bavareze për anëtarësimin e Shqipërisë në BE



Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi takime me Kryeministrin e Bavarisë, Markus Söder, dhe Ministrin për Europën, Eric Beißwenger.

Spiropali deklaroi se gjatë takimit u rikonfirmua partneriteti i shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Bavarisë, teksa qeveria bavareze mbështet fuqishëm procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Një nga temat kryesore ishte bashkëpunimi ekonomik, me fokus tek rritja e investimeve bavareze në vend. Spiropali theksoi se përmes prezencës së Zyrës Bavareze të Tregtisë në Tiranë, synohet nxitja e mëtejshme e investimeve dhe forcimi i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Në rrjetet sociale, ajo shkroi:
“Me Kryeministrin e Bavarisë Markus Söder dhe Ministrin për Europën, Eric Beißwenger, rikonfirmuam partneritetin e shkëlqyer mes dy vendeve tona, teksa qeveria bavareze mbështet fort anëtarësimin e Shqipërisë në BE. U angazhuam për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënies sonë ekonomike, falë edhe prezencës së zyrës bavareze të tregtisë në Tiranë, me synimin e qartë për nxitjen e investimeve bavareze në vendin tonë.”