Vendosni fjalën kyçe....

Sëmundja e çuditshme që vrau 500,000 njerëz dhe u zhduk papritur


Rreth një shekull më parë, në të njëjtën kohë kur pandemia e gripit të vitit 1918 vrau midis 50 dhe 100 milionë njerëz në mbarë botën, njerëzimi u përball me një sëmundje të re dhe të pazakontë.

Sëmundja, e njohur si encephalitis lethargica (EL), filloi të përhapej për herë të parë nëpër Evropë në dimrin e vitit 1916. Constantin von Economo, një mjek në Klinikën Psikiatrike-Neurologjike të Universitetit të Vjenës, ishte i pari që përshkroi sëmundjen pasi disa pacientë u paraqitën me simptoma të panjohura neurologjike.

Ata u shtruan me diagnoza që shkonin nga meningjiti dhe skleroza e shumëfishtë deri te deliri. Por asnjë nga këto simptoma nuk përshtatej plotësisht me ndonjë sëmundje të njohur, dhe një simptomë e re – letargjia, ose përgjumja – e dalloi atë si një dukuri të re. Ajo u kategorizua si akute ose kronike, megjithëse dy fazat shpesh përziheshin me njëra-tjetrën.

“Encephalitis lethargica akute shpesh paraqitej si një fillim gradual i simptomave të paqarta të ngjashme me gripin, duke përfshirë plogështinë, ethet e lehta, faringitin, dridhjet, dhimbjen e kokës, marramendjen dhe të vjellat,” shpjegon një rishikim i vitit 2017 mbi këtë temë.

“Simptomat neurologjike pasonin dhe mund të shfaqeshin shumë shpejt, si në rastin e një vajze që pësoi hemiplegji të papritur (paralizë e njërës anë të trupit) ndërsa kthehej në shtëpi nga një koncert. Brenda gjysmë ore ajo ra në gjumë dhe vdiq 12 ditë më vonë.”

Sëmundja u nda më tej në kategori të tjera, disa prej të cilave ishin më vdekjeprurëse se të tjerat. Veçanërisht e dallueshme ishte forma somnolent-ophthalmoplegic e EL, e cila karakterizohej nga përgjumja ekstreme.

“Më së shumti, pacientët ndjenin një dëshirë dërrmuese për të fjetur dhe flinin për periudha jashtëzakonisht të gjata kohore, por zgjoheshin lehtësisht dhe shpesh ishin koshientë për çdo gjë që kishte ndodhur rreth tyre gjatë kësaj gjendjeje pseudosomnolence,” shpjegon rishikimi.

“Shkalla e vdekshmërisë për formën somnolent-ophthalmoplegic ishte më e lartë se ajo e formave të tjera, duke kaluar 50%; megjithatë, një numër më i madh i të mbijetuarve pësuan pak ose aspak pasoja afatgjata në krahasim me format e tjera.”

EL, që mendohet se ka shkaktuar mbi gjysmë milioni vdekje, bëhej gjithnjë e më shqetësuese me kalimin e kohës.

“Pacientët ishin koshientë dhe të vetëdijshëm – e megjithatë jo plotësisht të zgjuar; ata uleshin palëvizur dhe pa folur gjithë ditën në karriget e tyre, me mungesë totale energjie, nxitjeje, iniciative, motivi, oreksi apo dëshire; ata regjistronin çfarë ndodhte rreth tyre pa vëmendje aktive dhe me një indiferencë të thellë,” shkroi Dr. Oliver Sacks në librin e tij “Awakenings”, duke përshkruar kohën e tij në spitalin Beth Abraham në Nju Jork në vitet ’60.

“Ata as nuk përcillnin, as nuk ndjenin ndjesinë e jetës; ishin po aq të paqenë sa fantazmat dhe po aq pasivë sa zombit.”

Sëmundja u përhap. Njësoj si me COVID-19, variante të reja u shfaqën gjatë viteve në vijim të pandemisë. Rreth Italisë dhe Suedisë në vitet 1919-1920, doli një lloj i ri i karakterizuar nga faza hiperkinetike dhe pagjumësie, si dhe një dhimbje nevralgjike që nuk qetësohej as nga morfina.

Pacientët pësonin ngurtësim të gjymtyrëve dhe mbeteshin të palëvizshëm për periudha të gjata. Ata që mbijetonin fazën fillestare nuk ishin jashtë rrezikut, pasi ndërlikimet shpesh shfaqeshin vite pas infektimit origjinal.

“Faza kronike karakterizohej nga parkinsonizmi, por çrregullimet e gjumit, anomalitë okulomotore, lëvizjet e pavullnetshme dhe çrregullimet psikiatrike ishin gjithashtu tipare të zakonshme,” shpjegon rishikimi.

“Në dekadat pas epidemisë, u vlerësua se deri në 50% e rasteve të parkinsonizmit ishin post-encefalitike.”

Shkaku i sëmundjes mbetet gjerësisht i panjohur. Një teori popullore në atë kohë ishte se sëmundja shkaktohej nga virusi përgjegjës për gripin spanjoll të vitit 1918. Të dyja sëmundjet erdhën dhe përfunduan në kohë të ngjashme, ndaj lidhja dukej logjike. Megjithatë, studimet në qytetet e SHBA-së midis viteve 1918 dhe 1923 nuk gjetën asnjë lidhje direkte mes tyre.

Kohët e fundit, një studim që ekzaminoi mostrat e pakta të indeve të trurit të disponueshme arriti në përfundimin se një enterovirus – grup virusesh që përfshin poliomelitin dhe përhapet përmes kontaktit me sekrecionet – ishte shkaku i mundshëm.

Sidoqoftë, nuk ka një konsensus të përgjithshëm. Në vitin 1927, pasi kishte vrarë rreth 500,000 njerëz, EL pothuajse ndaloi së qarkulluari dhe u zhduk fare. Ndonëse zhdukja e saj është një lajm i mirë, pa e ditur shkakun, nuk dihet e sa e mundshme është që sëmundje të ngjashme të rishfaqen në të ardhmen.

“Përveçse nëse identifikohet me siguri një shkak tjetër, rishfaqja e saj në kontekstin e një tjetër pandemie gripi mbetet formalisht e mundur,” përfundon një studim, duke shtuar se një rikthim i tillë do të shërbente të paktën si mundësi për të përcaktuar etiologjinë e EL duke përdorur metodat moderne, shkruan Ifl.