Ka përfunduar takimi i kryeministrit Edi Rama me banorët e Durrës që preken nga projekti TID.
Në një deklaratë për mediat, Rama tha se është arritur dakordësia me 34 familje që kundërshtonin projektin, ndërsa pjesën tjetër i cilësoi si persona të lidhur me Partia Demokratike e Shqipërisë dhe kreun e saj.
Kryeministri u shpreh i bindur se projekti nuk do të ndalet, por do të kryhen verifikime për disa objekte që dyshohet se kanë vlera të trashëgimisë kulturore.
“Me 34 qytetarë të Durrësit, përfaqësues të familjeve, kemi folur rreth 2 orë e gjysmë. Biseda ka qenë konstruktive, me opinione të ndryshme. 35 të tjerë atje që nuk përfaqësojnë qytetarët apo qytetin por vetëm hallin e një 80 e kusur vjeçari, krijojnë situata që janë qesharake e që tregojnë ku është katandisur ajo farë partie. Sa i përket problemit të vërtetë, ramë dakord se si do të ecim para qoftë me verifikimin e nevojshëm për disa objekte që mund të kenë vlera të trashëgimisë kulturore. Prishje do të ketë, projekti nuk do të ndalet, por duhet një verifikim për disa shtëpi që mund të kenë vlerë kulturore. Janë edhe disa prona që nuk kanë marrë hipotekë edhe pse janë atje prej kohës,” tha Rama.