
Atentati ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, i konsideruar krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe u plagos më pas agjenti i AMP-së, Muci Shaljani alias Sheqeri, është organizuar dhe ekzekutuar nga një grup i strukturuar kriminal, konkludon Prokuroria e Tiranës pas tre muaj hetimesh.
Prokurori Ardian Dyrmishi vendosi të shpallë mos-kompetencën dhe ta përcjellë dosjen voluminoze për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Posaçme. Hetuesit kanë konstatuar se për ekzekutimin janë angazhuar një numër i lartë personash, ku tre prej tyre kanë patur rolin e ekzekutorit, sipas pamjeve filmike.
Vrasja dyshohet se u urdhërua për shkak të përplasjeve mes grupeve kriminale që operojnë në fushën e gjobëvënies. Mënyra e veprimit – zgjedhja e rreth-rrotullimit të aeroportit të Rinasit, numri i lartë i pjesëmarrësve dhe ndërprerja e energjisë elektronike në zonë – tregon për një nivel të lartë të organizimit kriminal.
Gilmando Dani, i dënuar për gjobëvënie në kuadër të grupit kriminal të drejtuar nga Emiljano Shullazi, u ekzekutua më 11 nëntor 2025. Ai udhëtonte si pasagjer në automjetin që drejtohej nga Muci Shaljani, i cili u plagos dhe ndërroi jetë më vonë në Spitalin e Traumës. Të dy viktimat sapo kishin mbërritur nga Spanja dhe sapo zbritën në Rinas u qëlluan për vdekje.