
Vendet evropiane dënuan masat e fundit të miratuara nga Izraeli që thellojnë kontrollin e tij në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Bashkimi Evropian, së bashku me Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjën dhe Belgjikën, dënuan miratimin e të dielës nga kabineti izraelit i sigurisë të masave që synojnë ndryshimin e kuadrit ligjor dhe civil në territor për të forcuar kontrollin izraelit.
Vendimet përfshijnë shfuqizimin e një ligji që ndalonte shitjen e tokës në Bregun Perëndimor te individë privatë izraelitë, hapjen e të dhënave të pronësisë së tokës dhe zhvendosjen e autoritetit për lejet e ndërtimit në një bllok vendbanimesh pranë Hebronit nga një komunë palestineze te administrata civile e Izraelit, sipas mediave izraelite.
“Bashkimi Evropian dënon vendimet e fundit të kabinetit të sigurisë së Izraelit për të zgjeruar kontrollin izraelit në Bregun Perëndimor. Ky veprim është një tjetër hap në drejtimin e gabuar, ndërkohë që e gjithë bashkësia ndërkombëtare po bën përpjekje për të zbatuar fazën e dytë të planit gjithëpërfshirës për Gazën,” tha zëdhënësi Anouar El Anouni në një konferencë të Komisionit Evropian.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane i tha Anadolu-s se njoftimi “bie ndesh me obligimet e Izraelit sipas të drejtës ndërkombëtare dhe përfaqëson një pengesë të mëtejshme në rrugën drejt zgjidhjes me dy shtete”.
“Mbretëria e Bashkuar ka qenë e qartë: çdo përpjekje e njëanshme për të ndryshuar përbërjen gjeografike ose demografike të Palestinës është tërësisht e papranueshme dhe do të ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Ne i bëjmë thirrje Izraelit t’i ndryshojë menjëherë këto vendime,” tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit (FCDO).
Ministria e Jashtme e Spanjës tha gjithashtu se vendimet izraelite ndryshojnë status quo-në në Bregun Perëndimor dhe minojnë unitetin territorial dhe politik të një shteti palestinez të bazuar në kufijtë e vitit 1967, ndërsa i kërkoi Tel Avivit të respektojë obligimet e tij.
Ministria e Jashtme e Francës theksoi se “në një kohë kur përpjekjet ndërkombëtare janë të fokusuara në zbatimin e fazës së dytë të planit të paqes në Gazë, këto vendime minojnë përpjekjet e vazhdueshme të paqes dhe rrezikojnë të nxisin tensionet”, duke i cilësuar masat si “një goditje serioze për zgjidhjen me dy shtete”.
Ministria e Jashtme zvicerane deklaroi se aktivitetet e vendbanimeve izraelite janë të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare dhe i dënoi fuqishëm masat e miratuara së fundmi, shkruan AA.
“Unë dënoj vendimet e fundit izraelite që zgjerojnë kontrollin mbi Bregun Perëndimor të pushtuar,” tha ministri i Jashtëm belg Maxime Prevot, duke shtuar se masa të tilla janë “në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, Rezolutën 2334 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe mendimin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.
Ministri i Jashtëm holandez, David van Weel, i bëri thirrje Izraelit të mos i zbatojë vendimet e tij të fundit, të cilat “rrisin tensionet në një moment të përpjekjeve të paprecedenta ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet në rajon”.