Vendosni fjalën kyçe....

Rusia godet Ukrainën me raketa balistike dhe dronë, mijëra familje pa energji në Kiev, Odesa e Dnipro



Rusia ka goditur Ukrainën me dronë dhe raketa balistike gjatë natës së të enjtes, duke dëmtuar më tej sistemin energjetik dhe duke lënë dhjetëra mijëra banorë në Kiev, Dnipro dhe Odesa pa ngrohje, energji elektrike dhe ujë, njoftuan autoritetet për Reuters.

Sulmet janë pjesë e fushatës së intensifikuar dimërore të Moskës kundër rrjetit energjetik ukrainas, e cila ka zhytur qytetet kryesore në periudha të gjata të ftohti dhe errësire në temperatura ngrirëse.

Në Kiev, rreth 3,500 pallate mbetën pa ngrohje pas sulmit të fundit, që ndërpreu furnizimin për afro 2,600 ndërtesa shumëkatëshe, përveç 1,100 të tjera që ishin prekur nga sulmet e mëparshme, bëri të ditur kryebashkiaku Vitali Klitschko. Sipas kompanisë private energjetike DTEK, mbi 100,000 familje mbetën pa energji elektrike, ndërsa një prej termocentraleve të saj u vu në shënjestër. Dy persona u plagosën në Kiev, ku u godit edhe një ndërtesë banimi.

Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se Rusia lëshoi 24 raketa balistike, një raketë lundruese dhe 219 dronë gjatë natës. Mbrojtja ajrore arriti të rrëzojë ose neutralizojë 16 raketa dhe 197 dronë.

Në Odesa, afro 300,000 persona mbetën pa ujë për shkak të ndërprerjes së energjisë, ndërsa rreth 200 ndërtesa në portin strategjik të Detit të Zi mbetën pa ngrohje, sipas zëvendëskryeministrit Oleksiy Kuleba. Sulmi dëmtoi gjithashtu një pallat dhe shkaktoi zjarr në një nga tregjet e qytetit, duke lënë një të plagosur.

Në Dnipro, një sulm i kombinuar me raketa dhe dronë plagosi katër persona, përfshirë një foshnjë dhe një vajzë katërvjeçare, sipas guvernatorit rajonal Oleksandr Ganzha. Ndërkohë, në qytetin Lozova në rajonin verilindor të Kharkivit, dy persona humbën jetën dhe gjashtë të tjerë u plagosën pas një sulmi në një nyje hekurudhore.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, e dënoi sulmin si një goditje ndaj përpjekjeve për paqe të udhëhequra nga presidenti amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare. “Çdo sulm i tillë është një goditje ndaj përpjekjeve për paqe. Rusia duhet të detyrohet të marrë seriozisht diplomacinë dhe të ulë tensionet,” shkroi ai në rrjetin X.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy deklaroi se SHBA duhet të shtojë presionin ndaj Rusisë nëse synon që lufta të përfundojë brenda verës.