
Dhjetëra mijëra automjete po eksportohen nga Kina drejt Rusisë përmes skemave të ashtuquajtura të “tregut gri”, që në shumë raste anashkalojnë sanksionet perëndimore dhe aziatike, si edhe angazhimet e prodhuesve për t’u tërhequr nga tregu rus pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Sipas të dhënave të regjistrimit të automjeteve të analizuara nga Reuters dhe intervistave me pesë persona të përfshirë në këtë tregti, një rrjet informal ndërmjetësish në Kinë po u mundëson tregtarëve rusë të porosisin automjete të markave si Toyota, Mazda, si dhe modele luksoze gjermane.
Shumica e këtyre makinave prodhohen në Kinë – ku markat ndërkombëtare kanë fabrika në partneritet me kompani lokale – ose kalojnë përmes Kinës pasi prodhohen në vende të tjera. Një pjesë në rritje janë automjete “të përdorura” me zero kilometra: makina të reja që regjistrohen fillimisht si të shitura në Kinë dhe më pas riklasifikohen si të përdorura për t’u eksportuar.
Sipas Reuters, kjo praktikë u lejon tregtarëve të shmangin nevojën për miratimin e prodhuesve për shitje në Rusi. “Kjo mënyrë e bën eksportin më të lehtë”, tha Zhang Ai Jun, ish-eksportuese në një kompani tregtare në provincën Sichuan.
Në Kinë, këto automjete shpesh shiten me zbritje të konsiderueshme, ndërsa në Rusi arrijnë çmime të ngjashme me makinat e reja të paregjistruara.
Të dhënat e kompanisë ruse Autostat, të cituara për herë të parë nga Reuters, tregojnë se importet nga Kina përbëjnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të automjeteve perëndimore apo japoneze të regjistruara në Rusi. Numri i makinave të prodhuara në Kinë është më shumë se dyfishuar që nga viti 2023 dhe përbën gati gjysmën e rreth 130 mijë automjeteve të shitura në Rusi në vitin 2025 nga prodhues me seli në vende që kanë vendosur sanksione.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, mbi 700 mijë automjete të markave nga vende që kanë vendosur sanksione janë shitur në Rusi.
Sipas të dhënave, vitin e kaluar rusët blenë më shumë Toyota se çdo markë tjetër e huaj, përveç atyre kineze. Megjithatë, Toyota deklaroi se ka ndaluar eksportet drejt Rusisë që në vitin 2022. Edhe Mazda theksoi se çdo makinë e re e shitur në Rusi është rishitur nga palë të treta jashtë kontrollit të kompanisë.
Prodhues si Mercedes-Benz, BMW dhe Volkswagen thanë se ndalojnë shitjet drejt Rusisë dhe përpiqen të parandalojnë eksportet e paautorizuara, por pranuan se hetimet për shkelje të mundshme janë komplekse dhe kërkojnë bashkëpunim me palë të treta.
Të dhënat tregojnë se vitin e kaluar në Rusi u regjistruan rreth 47 mijë automjete të reja BMW, Mercedes dhe Volkswagen Group (përfshirë Audi, Porsche dhe Skoda). Mbi 20 mijë prej tyre ishin prodhuar në Kinë.
Një nga modelet më të kërkuara nga elita ruse mbetet Mercedes G-Class, i prodhuar vetëm në Austri, me çmim rreth 120 mijë euro. Sipas dokumenteve të transportit të shqyrtuara nga Reuters, edhe modele të tjera luksoze si Mercedes GLC 300 dhe BMW X1 xDrive25i janë importuar në Rusi nga Kina.
Ekspertët e sanksioneve theksojnë se është “pothuajse e pamundur” të parandalohet plotësisht hyrja e produkteve të ndaluara në Rusi, për shkak të rrugëve të shumta indirekte të tregtisë.
Ndërkohë, Kina dhe Rusia kanë deklaruar se kundërshtojnë sanksionet unilaterale dhe i konsiderojnë ato të paligjshme.