
Pesë shtetas sirianë dhe dy algjerianë janë dënuar me 168 vite burg në total pasi hapën zjarr ndaj policisë në pikën kufitare të Morinë më 25 maj 2023.
Ata ishin pjesë e dy grupeve që trafikionin emigrantë të paligjshëm e vepronin në Shqipëri e Kosovë.
Gjykata i dënoi për tentativë vrasjeje të pesë punonjësve të policisë dhe trafik emigrantësh të paligjshëm.
Muhamed Shehab, Muhammed Nasir dhe Nagid Alabdalah ishin pjesë e grupit të parë, ndërsa në grupin e dytë përfshihen Sultan Grimash, Muhammed Radawn, Ayoub Bahhoo dhe Rabi Lqadi.
Sipas të dhënave, disa prej tyre rezulton të kenë qëndruar në Shqipëri të paktën që prej vitit 2019. Ata janë ndaluar disa herë në territorin shqiptar në shoqërinë e emigrantëve të tjerë, duke u paraqitur edhe vetë si të tillë. Kjo ka vështirësuar identifikimin e tyre si organizatorë të aktiviteteve të paligjshme, ndërsa gjatë intervistimeve kanë dhënë të dhëna të rreme mbi identitetin dhe rrethanat e tyre.
Pas dërgimit në kampe pritjeje, ata janë larguar, pavarësisht se ndaj tyre ishin lëshuar edhe urdhra për largim nga territori i Shqipërisë.
Gjatë vitit 2023, aktiviteti i tyre është shtrirë kryesisht në zonën mes Morinës dhe Kosovës, me hyrje-dalje të paligjshme në kufi. Hetimet tregojnë se kanë mbajtur armë dhe kanë bashkëpunuar me shtetas shqiptarë, kosovarë si dhe të huaj të tjerë për organizimin e kalimeve të paligjshme të emigrantëve.
Dy grupet, sipas burimeve, veprojnë në koordinim mes tyre dhe në bashkëpunim me rrjete kriminale që operojnë edhe jashtë vendit, duke përfshirë vendet e origjinës së emigrantëve, si dhe Greqinë, Turqinë, Kosovën, Serbinë dhe Gjermaninë.
Personat e dënuar janë
Sultan Grimash alias Sadaak Guremache alias Junes Alma – 35 vjet burgim.
Ayoub Bahhoo – 35 vjet burgim.
Muhammed Radwn alias Muhamed Radouw alias Radvan Radvan – 35 vjet burgim.
Rabi Lqadi alias Rabi El-Kadi – 8 vjet burgim.
Muhammed Shehab alias Mohamed Al Uthman Shaab alias Mohamed Outman – 35 vjet burgim.
Muhammed Nasir alias Nouh Graie – 12 vjet burgim.
Nagid Alabdalah alias Abu Gira – 8 vjet burgim.