Vendosni fjalën kyçe....

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës sot në orën 17:00, pritet të pasohet nga votimi i Qeverisë



Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës do të mbahet sot në orën 17:00. Seanca pritet të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje.

Pas mbledhjes me përfaqësuesit e partive politike, kryetari në detyrë i Kuvendit, Dimal Basha, njoftoi se është arritur konsensus që në seancën konstituive nënkryetarët e Kuvendit të votohen në pako.

Sipas tij, menjëherë pas konstituimit të Kuvendit do të vazhdohet me seancën për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Rendi i ditës

Zyra për informim e Kuvendit ka bërë të ditur se pikat e rendit të ditës janë:

  • formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve të deputetëve;

  • betimi i deputetëve;

  • zgjedhja e kryetarit të Kuvendit;

  • zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Ndryshimi i vetëm nga njoftimi i mëparshëm është ora e nisjes së seancës. Ajo nuk do të mbahet në orën 12:00, siç kishte kërkuar presidentja Vjosa Osmani, por në orën 17:00.

“Liderët e subjekteve politike kanë pranuar që mbledhja e seancës konstituive të mbahet në orën 17:00 dhe pastaj të vazhdohet me votimin e Qeverisë”, ka deklaruar Basha.

Shtyrja e orarit erdhi pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës, për shkak se në Hagë do të mbahen deklaratat përmbyllëse të ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Seanca e sotme pritet të shënojë zyrtarisht nisjen e legjislaturës së re dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të reja.