Vendosni fjalën kyçe....

Plas grushti në Parlamentin turk pas emërimit të ministrit të Drejtësisë (Video)


Seanca parlamentare në Turqi degjeneroi në përleshje të mërkurën, kur deputetët e mazhorancës dhe ata të opozitës u përfshinë në tensione të forta lidhur me emërimin e një figure të debatueshme në krye të Ministrisë së Drejtësisë, në kuadër të një riorganizimi të kabinetit qeveritar.

Ligjvënësit e opozitës tentuan të pengonin Kryeprokurorin e Stambollit, Akin Gurlek – i emëruar nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan në një post të lartë gjyqësor – që të kryente betimin në sallën e Kuvendit. Situata u përshkallëzua shpejt, me deputetë që shtynin njëri-tjetrin dhe, në disa raste, shkëmbyen edhe grushte.

Gurlek, gjatë kohës që drejtonte Prokurorinë e Stambollit, kishte udhëhequr procese të rëndësishme gjyqësore ndaj anëtarëve të Partisë Republikane Popullore (CHP), forca kryesore opozitare. Këto procese janë cilësuar nga opozita si të motivuara politikisht. Pavarësisht kundërshtimeve, ish-prokurori u pa më pas duke bërë betimin, i rrethuar nga deputetët e partisë në pushtet.

Në të njëjtën valë ndryshimesh, Erdogan emëroi edhe Mustafa Ciftci, guvernatorin e provincës lindore të Erzurumit, në postin e ministrit të Brendshëm.

Zhvillimet vijnë në një klimë të tensionuar politike, teksa qindra zyrtarë të bashkive të drejtuara nga CHP-ja janë arrestuar në kuadër të hetimeve për korrupsion. Mes tyre është edhe kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu – i konsideruar si rivali kryesor i Erdoganit – i cili u arrestua vitin e kaluar, shkruan WP.

Qeveria turke këmbëngul se sistemi gjyqësor funksionon në mënyrë të pavarur. Ndërkohë, nuk u ofrua një shpjegim zyrtar për riorganizimin e kabinetit, përveç njoftimit në Gazetën Zyrtare se ministrat në largim kishin “kërkuar të liroheshin” nga detyrat e tyre.

Emërimet e reja ndodhin në një moment kur Turqia po diskuton reforma të mundshme kushtetuese dhe po ndjek një iniciativë paqeje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), me synimin për t’i dhënë fund një konflikti që zgjat prej dekadash. Parlamenti pritet të miratojë ndryshime ligjore për të mbështetur këtë proces.