Vendosni fjalën kyçe....

Laboratori i heroinës në Has, dënohet me 13 vjet burg Astrit Avdyli


Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 12 vite burg Astrit Avdylin, i njohur edhe me mbiemrin Balliu, i konsideruar si kreu i bandës së Shijakut. Ai u shpall fajtor për veprat penale “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal” si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Dënimi lidhet me laboratorin e heroinës të zbuluar në Has në vitin 2018, dosje për të cilën janë dënuar me një total prej 125 vitesh burg edhe 17 persona të tjerë. Avdyli ishte dënuar më herët nga GJKKO me 12 vite burg, por vendimi u prish nga Apeli i Posaçëm, i cili urdhëroi rigjykim të çështjes.

Sipas hetimeve, laboratori ishte ideuar nga Admir Hoxha, ndërsa Astrit Avdyli dhe anëtarë të tjerë të grupit të tij vepronin si bashkëpunëtorë. Prokuroria ka provuar se grupi ishte përgjegjës për futjen në territorin shqiptar të të paktën 161 pakove me heroinë nga Kosova, të cilat përpunoheshin në laboratorin e ngritur në fshatin Brenog të Hasit. Lënda narkotike u gjet e fshehur në një banesë dhe, sipas planit të grupit, do të transportohej fillimisht drejt Durrësit dhe më pas në Itali.

Avdyli u arrestua më 29 qershor 2024 me urdhër të SPAK, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionin e enkriptuar “Sky ECC”. Ai u vu në pranga rreth një muaj pas operacionit “Revanshi”, në vilën e tij në Shijak, ku iu gjet edhe një pistoletë e mbushur. Në këtë dosje ndaj tij rëndojnë edhe akuza të tjera, përfshirë “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

Njoftimi

“1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani)”.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri, me vendimin nr. 13, datë 11.02.2026 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a, paragrafi parë, 28/4 dhe në lidhje me nenin 334, paragrafi parë të K.Penal dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi dytë, të K.Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vite burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 të K.Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit Astrit Balliu (alias Avdyli alias Sulejmani), përfundimisht me 12 (dymbëdhjetë) vite burgim.

Vuajtja e dënimit për të pandehurin Astrit Balliu (alias Avdyli, alias Sulejmani), të fillojë nga dita e arrestimit të tij, dhe të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.

Bazuar në nenin 190, pika 1, shkronja “a” të K.Pr.Penale, në lidhje edhe me nenin 36, pika 1, shkronja “a” të K.Penal, prova materiale e sekuestruar, arma pistoletë, me mbishkrimin ËALTER-P.P.Q-Made in Germany, me numër ****, të kalojë në favor të shtetit.

Në mbështetje të nenit 485/3 të K.Pr.Penale, shpenzimet hetimore gjatë fazës së hetimeve paraprake në raport me të bashkëpandehurit e tjerë, ndërsa ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.

Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit gjyqësor të arsyetuar.”