Vendosni fjalën kyçe....

Kryebashkiaku i Rrogozhinës: Jam i burgosur politik, do ta çoj çështjen në Strasburg



Kryetari i Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla, ka reaguar pas shpalljes së tij fajtor dhe arrestimit për korrupsion në zgjedhje, duke e cilësuar veten “të burgosur politik”. Në një mesazh drejtuar mbështetësve dhe qytetarëve, Memolla njofton se do ta ndjekë çështjen deri në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

“Është e rëndë t’ju flas në cilësinë e një të burgosuri politik, me apo pa të drejtë”, shkruan ai, duke falënderuar mbështetësit, kolegët, familjarët dhe qytetarët për mbështetjen e dhënë që nga dhjetori i vitit 2020. Memolla thekson se kushtet në të cilat ndodhet nuk janë ato që priste nga drejtësia, por shton se “lufta nuk mbaron këtu” dhe se do të përdorë çdo mundësi ligjore për të fituar pafajësinë.

Ai mohon që çështja të ketë lidhje me Partinë Socialiste apo me kryeministrin Edi Rama, duke kujtuar se gjatë drejtimit të tij në Rrogozhinë, PS ka fituar pesë palë zgjedhje. “Unë jam socialist dhe i tillë do të mbetem”, shkruan ai, duke bërë thirrje për bashkim dhe mbështetje nga qytetarët.

Memolla e cilëson arrestimin si një sulm politik dhe personal, por shprehet se ka vepruar gjithmonë me bindjen se ka ndihmuar qytetarët në nevojë. “Kryetarllëku ikën e vjen, por jeta është më e gjatë se kaq”, shprehet ai.

Në fund të mesazhit, ish-kryebashkiaku i drejtohet familjarëve dhe mbështetësve, duke i kërkuar të mbajnë kokën lart: “Jam i burgosur, por nuk jam kriminel. Nuk kam vrarë, nuk kam prerë dhe nuk kam vjedhur. Nuk është një lamtumirë, por një mirupafshim për një kohë të caktuar.”

Çështja ndaj tij lidhet me akuzat për korrupsion zgjedhor, për të cilat gjykata e shpalli fajtor, ndërsa pritet vijimi i procedurave të mëtejshme ligjore.