Vendosni fjalën kyçe....

Çmontonin dhe shisnin makina të kontrabanduara nga Britania, një i arrestuar dhe një në kërkim



Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Çmontimi”, duke zbuluar në Dimal dy subjekte ku çmontoheshin dhe shiteshin pjesë automjetesh të dyshuara si të kontrabanduara, kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar.

Sipas burimeve zyrtare, janë sekuestruar 68 automjete, pjesërisht të çmontuara. Në pranga ka rënë pronari i njërit subjekt, ndërsa pronari i subjektit tjetër është shpallur në kërkim.

Policia bën me dije se:

“Si rezultat i kontrolleve, punës operative dhe asaj hetimore, me fokus konstatimin dhe goditjen e rasteve të kryerjes së aktiviteteve ekonomike, në informalitet dhe/ose me produkte të kontrabanduara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe në koordinim me Prokurorinë e Beratit, finalizuan operacionin e koduar “Çmontimi”.

Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi P. D., 30 vjeç, banues në Dimal, dhe u shpall në kërkim shtetasi R. S., 31 vjeç, banues në Kuçovë. Gjatë kontrolleve në subjektin e tyre (servise për automjete/subjekte për shitje pjesësh për automjete), u gjetën përkatësisht 55 dhe 13 automjete (pjesërisht të çmontuara), për të cilat nuk posedoheshin dokumente blerjeje dhe as doganore. Automjetet dyshohet se janë të kontrabanduara, kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar. Punohet për kapjen e shtetasit R. S.. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.”

Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.