Vendosni fjalën kyçe....

Salianji reagon për përplasjen në Durrës: Dhuna policore, shenjë paniku e një regjimi të degraduar



Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar për përplasjen mes policisë dhe qytetarëve që po protestonin për pronat e tyre, të cilat preken nga projekti TID.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji e cilëson dhunën dhe brutalitetin policor si shenja paniku të një regjimi të degraduar, duke theksuar se një qeveri normale duhet të dialogojë me qytetarët dhe të zgjidhë problemet e tyre, jo t’i dhunojë ata.

“Brutaliteti dhe dhuna policore janë shenja paniku, jo force. Janë reagimi i fundit i një regjimi të degraduar që ka humbur legjitimitetin. Një qeveri normale dëgjon qytetarët. Një qeveri demokratike dialogon. Një qeveri e përgjegjshme zgjidh problemet”, shprehet Salianji.

Ai thekson se qytetarët në Durrës nuk po kërkojnë privilegje, por po kërkojnë të drejtën e tyre themelore për pronën, ndërsa akuzon qeverinë dhe bashkinë për shpronësime me presion dhe kompensime të pamjaftueshme.

“Sot qytetarët në Durrës nuk po kërkojnë privilegje. Po kërkojnë të drejtën themelore: pronën e tyre. Por çfarë bën qeveria dhe bashkia? I grabit me çmime qesharake, i shpronëson me presion dhe i kërcënon me polici”, thuhet në reagimin e tij.

Salianji e cilëson ndërhyrjen ndaj protestuesëve si “zhvatje me uniformë”, duke shtuar se Shqipëria ka nevojë për një shtet në shërbim të qytetarëve dhe jo për polici kundër tyre.

Në fund të reagimit, ish-deputeti bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të Artion Bajramaj, Orest Berberi, Isuf Idrizi dhe Elton Doka, të cilët u ndaluan gjatë protestës.

“Policia duhet t’i lirojë menjëherë Artion Bajramaj, Orest Berberi, Isuf Idrizi dhe Elton Doka, të cilët u morën forcërisht duke u dhunuar e drejta për të protestuar”, përfundon Salianji.