Vendosni fjalën kyçe....

“Na qëlloi policia me plumba gome në kokë, nuk po kryenim asnjë akt dhune” – Denoncimi i qytetarëve (Video)


Dy qytetarë kanë denoncuar policinë për dhunë në protestën e mbrëmjes së sotme. Ata kanë marrë dëmtime në kokë ndërsa thonë se janë qëlluar me plumba gome në kokë.

Njëri prej tyre, Ilir Tusha, në një prononcim për gazetaren e Syri Tv, deklaroi se ndodhej vetëm disa metra larg kordonit të policisë dhe po transmetonte drejtpërdrejt në TikTok, kur u godit papritur në kokë, duke u rrëzuar në tokë.

“Sapo isha përballë policisë dhe po bëja video live. Nuk kishte asnjë protestues tjetër para meje. Goditja ishte shumë e fortë dhe erdhi nga drejtimi i policisë. Dyshoj se kam qenë i goditur me plumb gome, sepse nuk kishte arsye që të më gjuanin me gurë,” u shpreh ai.

Tusha theksoi se nuk ishte i përfshirë në asnjë akt dhune në momentin e ngjarjes. Ai shtoi se, për shkak se transmetimi ishte drejtpërdrejt, nuk është i sigurt nëse pamjet e çastit kur u godit janë ruajtur.

Sipas tij, pozicioni ku ndodhej – ballë për ballë me efektivët e policisë dhe godinën e Kryeministrisë – e bën Policinë e Shtetit burimin e vetëm të mundshëm të goditjes. Denoncimi i protestuesit ngre akuza serioze për përdorim joproporcional të forcës, ndërsa përdorimi i plumbave të gomës në rrethana të tilla konsiderohet një veprim i rëndë dhe tejet shqetësues.