
Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka njoftuar qytetarët mbi shërbimin “Kërkesë për kalimin e pronësisë të truallit shtetëror në përdorim”, i cili u mundëson individëve dhe subjekteve që përdorin truall shtetëror, por nuk zotërojnë akt pronësie të vlefshëm, të pajisen me dokument ligjor për pronësinë e tij.
Shërbimi vlen për rastet kur qytetarët posedojnë ndërtesë mbi truall shtetëror, por akti i pronësisë është i pavlefshëm ose nuk ekziston. Për ndërtesat me funksion banimi, kalimi i truallit shtetëror në pronësi kryhet pa pagesë, duke siguruar qytetarëve mundësinë për të përfituar pronësinë ligjore pa kosto.
Kriteret kryesore për përfituesit përfshijnë: posedimin e truallit dhe ndërtesës, ndërtesë të ndërtuar ligjërisht, funksion banimi ose social-ekonomik dhe truall shtetëror që nuk është pronë publike e patjetërsueshme.
Qytetarët duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës, duke përfshirë kontratën e pronësisë mbi ndërtesën, genplanin ose planimetrinë, leje ndërtimi, deklaratë noteriale për mos-tjetërsimin e ndërtesës, si dhe vërtetim për pagesën e taksës së truallit në përdorim që nga 7 qershori 2010.
Aplikimi kryhet online përmes portalit e-Albania, ndërsa dokumentet origjinale dërgohen edhe përmes postës pranë drejtorisë vendore ASHK.
Ky proces synon të lehtësojë kalimin e truallit në pronësi, të rrisë sigurinë juridike për qytetarët dhe të përmirësojë aksesin në shërbimet kadastrale përmes digjitalizimit.