Vendosni fjalën kyçe....

Ambasada Amerikane paralajmëron qytetarët për protestën në Tiranë: Shmangni zonat e tubimit



Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë në lidhje me protestën kombëtare që organizohet sot nga opozita, duke i këshilluar të shmangin demonstratën dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për sigurinë.

Sipas njoftimit, protesta është planifikuar të zhvillohet sot, më 10 shkurt 2026, në orën 17:00, para godinës së Kryeministrisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ambasada paralajmëron për prani të shtuar policie, mbyllje rrugësh, devijime trafiku dhe bllokime të mundshme në kryqëzime të ndryshme të qendrës së qytetit.

“Ndërkohë që protestat shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar ndërprerje të trafikut dhe mbyllje rrugësh,” thuhet në postimin e Ambasadës.

Personeli i Ambasadës Amerikane është këshilluar të shmangë demonstratën, ndërsa qytetarëve amerikanë u rekomandohet të qëndrojnë vigjilentë, të monitorojnë mediat lokale dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë së Shtetit.

Ambasada rendit edhe disa masa sigurie, përfshirë shmangien e zonave të protestës, ruajtjen e një profili të ulët, kufizimin e shpërqendrimeve në publik dhe pasjen e një plani emergjence për lëvizje dhe dalje nga zona.