Vendosni fjalën kyçe....

Policia njofton masa dhe bllokime rrugore për protestën e PD-së para Kryeministrisë



Policia e Tiranës ka njoftuar se përfaqësues të Partisë Demokratike kanë depozituar kërkesë për zhvillimin e një tubimi, i cili do të mbahet ditën e nesërme, në orën 17:00, para godinës së Kryeministrisë.

Në kuadër të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, si edhe për mbarëvajtjen e protestës, Policia e Tiranës ka marrë masa të posaçme në zbatim të ligjit “Për tubimet”, duke parashikuar kufizime në qarkullimin dhe parkimin e automjeteve në disa akse kryesore të kryeqytetit.

Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 23:45 e ditës së sotme do të bllokohet lëvizja dhe parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”, deri në përfundim të tubimit.

Ndërkohë, ditën e nesërme, nga ora 15:00 dhe deri në përfundim të protestës, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”. Bllokime do të ketë gjithashtu edhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia bën me dije se, në varësi të situatës dhe zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime edhe në akse të tjera rrugore, ndërsa qarkullimi do të devijohet në rrugë alternative për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.

Në fund të njoftimit, Policia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e bllokuara, të përdorin rrugë alternative dhe të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.