Vendosni fjalën kyçe....

GJKKO kalon për gjykim dosjen “Veliaj”, 30 të pandehur përfshirë kryebashkiakun dhe bashkëshorten



Një vit pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, me urdhër të SPAK, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të tij, bashkëshortes Ajola Xoxa dhe 28 personave e shoqërive të tjera të përfshira në të. Vendimi u mor nga gjyqtarja Etleva Deda, ndërsa Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë, duke dërguar vetëm avokaten e tij kryesisht, Valentina Teodoresku.

Avokatët e të pandehurve të tjerë bojkotuan seancën, duke pretenduar shkelje gjatë seancave paraprake. Ata argumentuan se kjo ka penguar procesin e rregullt ligjor dhe mbrojtjen efektive të klientëve të tyre.

Seanca e kaluar paraprake u shoqërua me debate, pasi Veliaj dhe avokatja e tij kërkuan shtyrje për t’u njohur me të gjithë dosjen hetimore, kërkesë e cila u rrëzua nga gjyqtarja Deda. Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares, por kërkesa u rrëzua dhe seanca vijoi, duke e cilësuar fazën e mbrojtjes si të ezauruar.

Kryebashkiaku Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. SPAK ka ngritur ndaj tij 13 akuza, përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve në burg. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.

Dosja përfshin gjithashtu biznesmenë të akuzuar për korrupsion aktiv, ish-deputeten Klotilda Bushka për pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe Fatjon Bacin, gardian i burgut të Durrësit, i cili dyshohet se i ka dhënë telefon Veliajt gjatë transferimit në gjykatë.

GJKKO do të nisë gjykimin për këtë dosje, që prek çështje të rëndësishme të korrupsionit dhe abuzimit me fonde publike në kryeqytet.