
Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, është shpallur fajtor për akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim, dhe është dënuar me 1 vit burgim nga Gjykata e Apelit të Posaçëm. Vendimi është i formës së prerë, çka do të thotë se Memolla do ta vuajë dënimin në burg.
Si pasojë e këtij vendimi, Bashkia e Rrogozhinës mbetet pa kryetar, duke i hapur rrugë zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme. Gjykata ka vendosur gjithashtu një dënim plotësues për Memollën, duke i hequr të drejtën për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Në qeli do të shkojnë edhe dy të pandehurit e tjerë në këtë çështje, Ndriçim Tafxhafa dhe Blerim Xhamani, të cilët u shpallën fajtorë për korrupsion në zgjedhje dhe falsifikim dokumentesh, duke u dënuar secili me nga 1 vit burgim.
I vetmi që i shpëton vuajtjes së dënimit me burg është Isuf Tosku, për të cilin gjykata la në fuqi dënimin me 1 vit e 4 muaj shërbim prove.
Hetimet për këtë çështje u përfunduan nga SPAK në vitin 2023, i cili dorëzoi dosjen penale për gjykim. Sipas Prokurorisë së Posaçme, Memolla kishte ndikuar te elektricisti Blerim Xhamani që të mos i ndërpritej energjia elektrike një abonenteje debitore, me qëllim që ajo të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022, ku ai garonte nën siglën e Partisë Socialiste.
SPAK thotë se Memolla i kishte premtuar Xhamanit punësime në Bashkinë e Rrogozhinës për persona që do ta mbështesnin me votë. Nga ana tjetër, Blerim Xhamani akuzohet se, në bashkëpunim me Isuf Toskun, ka falsifikuar procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke deklaruar rremë se energjia ishte ndërprerë, ndërkohë që kjo nuk kishte ndodhur.
Ndërsa Ndriçim Tafxhafa, sipas SPAK, i kishte premtuar një shtetaseje shlyerjen e detyrimeve ndaj OSHEE-së dhe atyre për strehim, në këmbim të votës në zgjedhje.