Vendosni fjalën kyçe....

Brenda një viti, emigrantët dërguan 1.42 miliard euro në Kosovë


Paratë e diasporës vazhdojnë ta mbajnë gjallë ekonominë e Kosovës. Vetëm gjatë vitit të kaluar, remitancat kaluan 1.42 miliard euro.

Ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2025 është mbështetur nga rritja e parave të dërguara nga  diaspora.

Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të publikuara në kuadër të bilancit të pagesave tregojnë se remitancat në Kosovë gjatë vitit 2025 kanë arritur vlerën prej 1.42 miliard eurosh, duke shënuar një rritje prej 4.4% ose rreth 60 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2024.

“…vlera e të cilave deri në nëntor 2025 shënoi 1.28 miliard euro, që paraqet rritje prej 50.43 milionë euro ose 8.87% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025. Ndërsa, sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin dhjetor 2025 ishin rreth 140.04 milionë euro, duke arritur kështu vlerën 1.42 miliard euro”.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës pjesa më e madhe e remitancave ka ardhur nga Gjermania me rreth 39% të totalit.

Pas saj renditen Zvicra me 17.5%, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.2%, Austria me 4.2%, Italia me 3.9%, ndërsa Belgjika dhe Franca me nga 3.4%.

Sa i përket mënyrës së dërgimit të parave, rreth 55% e remitancave janë transferuar përmes agjencive për transfere të mjeteve, 17% përmes bankave dhe 28% përmes kanaleve të tjera.

Kjo strukturë ka mbetur pothuajse e njëjtë si në vitin paraprak.

“Prurjet më të mëdha janë realizuar përmes institucioneve financiare jobankare (62.51%), bankave komerciale (15.51%), ndërsa pjesa tjetër – 21.98% – është dërguar përmes kanaleve të tjera alternative. Kjo rritje e qëndrueshme e remitancave tregon jo vetëm mbështetjen e diasporës për familjet në Kosovë, por edhe ndikimin e drejtpërdrejtë në fuqizimin e konsumit dhe të investimeve të brendshme”, ka treguar BQK.

Mesatarja mujore e remitancave ishte rreth 117.9 milionë euro, ndërsa prurjet më të mëdha u regjistruan në muajt korrik, gusht dhe dhjetor, kryesisht për shkak të ardhjes së mërgimtarëve në Kosovë gjatë sezonit të verës dhe festave të fundvitit.

Sipas disa të dhënave, janë mbi 700 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shumica prej tyre në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor