Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Rama po ndryshon ligjin për të shpëtuar pushtetin e vet të korruptuar



Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me situatën e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në një hetim penal aktiv.

Në një postim në Facebook, Bardhi paraqiti atë që i cilësoi si “tre të vërteta” mbi, sipas tij, përpjekjet e Ramës për të ndikuar procesin e drejtësisë. Ai theksoi se ndryshimi i ligjit në kohën kur po hetohet bashkëpunëtorja më e afërt e kryeministrit nuk ka të bëjë me mbrojtjen e parimeve kushtetuese, por me mbrojtjen e pushtetit personal.

“Kur Qeveria dhe Kuvendi bashkohen për të goditur vendimin e dy gjykatave në lidhje me një hetim penal aktiv, kemi dy pushtete që përpiqen të ndikojnë të tretin. Kjo nuk është ndarje pushtetesh, por presion i organizuar kundër drejtësisë,” shprehet Bardhi.

Ai shton se deklaratat për mungesë urgjence në shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut përkthehen, sipas tij, në një mesazh të qartë se drejtësia duhet të presë, ndërsa pushteti po tenton të blejë kohë.

Më tej, Bardhi thekson se pezullimi nga ushtrimi i funksionit publik nuk është një masë e shpikur nga SPAK, por është e parashikuar qartë në Kodin e Procedurës Penale dhe zbatohet për çdo funksionar publik, qoftë ministër, zëvendëskryeministër apo edhe kryeministër.

Sipas tij, pezullimi synon të mbrojë institucionin dhe procesin penal nga ndikimi i personit nën hetim, ndërsa masa e arrestit kërkohet kur ekziston rreziku i intimidimit të dëshmitarëve apo cenimit të provave. Bardhi thekson se SPAK ka paraqitur prova konkrete për këto rreziqe në rastin e Ballukut.

Në fund të reagimit, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së i bën thirrje Këshillit të Mandateve që të mblidhet pa shtyrje dhe manovra politike, duke theksuar se Kryetari i Kuvendit duhet të zgjedhë mes zbatimit të ligjit dhe, sipas tij, pengimit të drejtësisë.