Vendosni fjalën kyçe....

Përmbyset varka në brigjet e Libisë, 53 emigrantë të vdekur


Të paktën 53 emigrantë, mes tyre edhe dy foshnja, rezultojnë të vdekur ose të zhdukur pas përmbysjes së një varke gome me 55 persona në brigjet e Libisë, bëri të ditur të hënën Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.

Sipas agjencisë së OKB-së, varka ishte nisur të enjten nga qyteti bregdetar i Zawiya-s dhe u përmbys të premten pranë Zuwara-s, në perëndim të kryeqytetit Tripoli, duke iu referuar dëshmive të të mbijetuarve.

Operacionet e kërkim-shpëtimit nga autoritetet libiane arritën të shpëtonin vetëm dy gra me origjinë nga Nigeria. “Njëra prej tyre raportoi se kishte humbur bashkëshortin, ndërsa tjetra tha se dy foshnjat e saj u mbytën gjatë tragjedisë,” njoftoi IOM.

Bilanci i viktimave në Mesdheun Qendror vijon të rritet ndjeshëm. Sipas të dhënave të IOM, më shumë se 1,300 emigrantë janë zhdukur në këtë rrugë detare vetëm gjatë vitit 2025. Ndërkohë, në janar u raportuan të paktën 375 emigrantë të vdekur ose të zhdukur, kryesisht pas mbytjeve të shumta të anijeve gjatë motit ekstrem, ndërsa qindra raste të tjera besohet se nuk janë regjistruar.

“Ky incident i fundit e çon në të paktën 484 numrin e emigrantëve të raportuar të vdekur ose të zhdukur në këtë rrugë gjatë vitit 2026,” theksoi agjencia.

Situata në terren mbetet alarmante edhe në tokë. Në mesin e janarit, autoritetet zbuluan të paktën 21 trupa emigrantësh në një varrezë masive në Libinë lindore. Dy burime sigurie bënë me dije se deri në 10 të mbijetuar nga i njëjti grup kishin shenja torture përpara se të liroheshin nga robëria.

Vetëm dy ditë më vonë, burime të tjera sigurie njoftuan se më shumë se 200 emigrantë u liruan nga një objekt i përshkruar si burg i fshehtë në qytetin Kufra, në juglindje të Libisë, ku ata mbaheshin në kushte çnjerëzore.

Që nga rrëzimi i Muammar Gadafit në vitin 2011, pas një kryengritjeje të mbështetur nga NATO, Libia është shndërruar në një pikë kyçe tranziti për emigrantët që largohen nga konfliktet dhe varfëria, në përpjekje për të arritur në Evropë përmes rrugëve të rrezikshme në shkretëtirë dhe përmes Mesdheut, shkruan Reuters.

Në këtë kontekst, disa shtete, përfshirë Britaninë e Madhe, Spanjën, Norvegjinë dhe Sierra Leone-n, i kërkuan Libisë gjatë një takimi të OKB-së në Gjenevë në nëntor që të mbyllë qendrat e paraburgimit për emigrantët. Organizatat për të drejtat e njeriut kanë denoncuar prej vitesh se në këto qendra emigrantët dhe refugjatët janë torturuar, abuzuar dhe, në disa raste, edhe vrarë.