Vendosni fjalën kyçe....

“Kërkojnë qiqra në hell” –Rama kundër kërkesës për rritjen e pagave të gjyqtarëve



Kryeministri Edi Rama është shprehur sërish kundër kërkesës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, të përfaqësuar nga shoqatat e tyre, drejtuar Gjykatës Kushtetuese për referencën e pagave, e cila do të sillte rritje të mëtejshme të rrogave në sistemin e drejtësisë.

Duke folur në podcastin “Flasim”, episodi i pestë i sezonit të gjashtë, Rama deklaroi se kërkesa për rritje pagash është e pajustifikuar, duke u shprehur se “gjyqtarët kërkojnë qiqra në hell” dhe se “Shqipëria nuk mund të kthehet në një kastë gjyqtarësh”.

Kryeministri sqaroi se rritja e pagave për një kategori të caktuar magjistratësh, përfshirë prokurorët dhe gjyqtarët e posaçëm, është vendosur në kuadër të reformës në drejtësi, me qëllim garantimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe rritjen e cilësisë së drejtësisë. Sipas tij, kjo masë nuk ka pasur për synim përmbysjen e gjithë piramidës së pagave në shtet.

“Ne e kemi kthyer me vetëdije piramidën e pagave, duke rritur ndjeshëm pagat e gjyqtarëve, por jo duke i vendosur mbi të gjithë dhe jo me idenë që sa herë të rriten pagat e tyre, të rriten automatikisht edhe të tjerat”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se debati për rritjen e pagave ka shkaktuar pakënaqësi publike, duke iu referuar edhe sondazheve sipas të cilave shumica e qytetarëve janë kundër një rritjeje të tillë. Sipas Ramës, insistimi i gjyqtarëve për paga më të larta dëmton imazhin e vetë sistemit të drejtësisë.

“Shqipëria të bëhet vendi i vetëm në planet ku sundon kasta e gjyqtarëve, kjo nuk do të ndodhë. Jo si sfidë ndaj pushtetit gjyqësor, por si domosdoshmëri e shtetit”, deklaroi kryeministri.

Në fund, Rama theksoi se qeveria mbetet fuqimisht kundër çdo iniciative për rritje të mëtejshme të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke e cilësuar këtë qasje si një praktikë që “nuk ndodh në asnjë vend demokratik”. Ai u bëri thirrje përfaqësuesve të gjyqësorit që t’i japin fund këtij debati, duke u fokusuar te funksioni i tyre kushtetues dhe shërbimi ndaj qytetarëve.