
Deputetja demokrate Jorida Tabaku reagoi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku, duke kritikuar qeverinë për moszbatimin e vendimit të GJKKO për pezullimin e saj nga detyra.
“Prej 8 javësh, me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres Balluku. Për 8 javë, qeveria refuzoi ta zbatojë këtë vendim. Shqipëria ka pasur një zv/kryeministre në kundërshtim me ligjin, e cila mund të ndikojë prova, të intimidonte dëshmitarë dhe të ushtronte funksione që ligji ia ndalon. Mazhoranca u kthye në mburojë politike, duke refuzuar të zbatojë një vendim gjykate kundër korrupsionit”, shkruan Tabaku.
Deputetja thekson se pas (mos)vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk ka më asnjë justifikim për heqjen e imunitetit sipas kërkesës së SPAK. Ajo shton se ligji është shkelur me vetëdije nga qeveria dhe se Parlamenti nuk ka arsye të mos veprojë për të zbatuar kërkesën e organit të akuzës.
“Respekt për 4 gjyqtarët kurajozë që nuk u tërhoqën nga e drejta. Kjo qeveri sot nuk ka më legjitimitet moral. As në sjellje. As në standarde. As në moral”, përfundon reagimi i Tabakut.