
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e paralajmëruar për datën 10 shkurt, duke theksuar se, sipas tij, nuk ka më asnjë alibi për situatën në vend dhe se problemi i Shqipërisë ka një emër të vetëm: Edi Rama.
Në një reagim publik, Bardhi shprehet se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku përfaqëson simbolin më të dukshëm të pushtetit të korruptuar dhe keqbërës të kryeministrit.
“Belinda Balluku është simboli më i dukshëm i këtij sistemi keqbërës, por nuk është përjashtim. Ajo është simbol i pushtetit të korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës”, shkruan Bardhi.
Ai thekson se gjatë 13 viteve në pushtet, Edi Rama ka ndryshuar mbi 50 ministra, por sipas tij gjendja e vendit është përkeqësuar.
“Edi Rama ka ndryshuar mbi 50 ministra në 13 vjet. Por si është sot Shqipëria? Më e korruptuar. Më e kriminalizuar. Më e shtrenjtë. Më e padrejtë. Më e zbrazur”, deklaron kreu i grupit parlamentar të PD.
Sipas Bardhit, përgjegjësia politike nuk është mbajtur asnjëherë nga kryeministri, ndërsa ministrat janë përdorur si alibi për skandalet.
“Sa herë ka skandal, sakrifikohet një ministër. Sa herë ka aferë, Edi Rama lan duart dhe bën të paditurin. Ministrat ndryshojnë, degradimi vazhdon, sepse problemi mbetet i pazgjidhur”, thekson ai.
Në reagimin e tij, Bardhi nënvizon se problemi, sipas opozitës, nuk qëndron te emrat e ministrave, por te kreu i qeverisë. “Ai nuk është emri i radhës së një ministri. Problemi është arkitekti i këtij sistemi: Edi Rama”, shkruan Bardhi.
Në fund, ai përsërit thirrjen për mobilizim qytetar, duke theksuar se protesta e 10 shkurtit do të jetë kundër kryeministrit.
“Të martën protestojmë kundër Edi Ramës, sepse shqiptarët po paguajnë shumë shtrenjtë çmimin e korrupsionit të tij. Sepse pa ndryshuar kokën, peshku do të vazhdojë të qelbet”, përfundon Bardhi.