Vendosni fjalën kyçe....

VIDEO/ Përjashtohet mësuesi i shkollës 9-vjeçare në Tiranë, u predikonte nxënësve Jehovain – TCH


Mësuesi i një shkolle 9-vjeccare në Tiranë është përjashtuar pasi predikoi doktrinën fetare të Dëshmitarëve të Jehovait te nxënësit e shkollës fillore, shkruan Top Channel.

Ngjarja ka ndodhur në shkollë “Gustav Majer” ku mësuesi i gjuhës angleze ka predikuar fenë e tij te nxënësit e arsimit bazë dhe pas shqetësimit të prindërve, ai është përjashtuar.

Me video për dashurinë hyjnore për Zotin dhe detyra në fletore për nxënësit e fillores, që lidhen me urdhëresat e Perëndisë, prindërit e klasës së katërt ngritën alarmin në drejtorinë e shkollës në fillim të javës. Pas verifikimit nga komisioni i disiplinës, u vendos masa e largimit të mësuesit.

“5 orë mësim për Zotin. Thoshte fjalët e Zotit për fundin e botës. Na vendoste vetëm 10 për Zotin”, shprehet një nga nxënësit.

“Ka ndodhur një gjë e paparë, a ka më turp dynjaja, t’i thuash fëmijës ‘vdis sot, se do ngjallesh nesër?!’ Ti jashtë, në mbasdite, ki besimin tënd, po në shkollë jo. Gabim që nuk falet!”, thonë prindërit.

Dëshmitë e fëmijëve dhe prindërve janë tronditëse, teksa tregojnë përpjekjet për indoktrinimin e nxënësve brenda ambienteve shkollore. Rrëfimet zbulojnë se qasja e profesorit të anglishtes ishte e dukshme, por situata u përkeqësua kur bindjet e tij u bënë pjesë e programit mësimor.

Mësuesi i anglishtes shfrytëzonte orën e mësimit për të diskutuar tema fetare. Ndonëse shquhej si mësues i përgatitur në njohuritë e lëndës, kishte prindër pa dijeni mbi rastin ose të kënaqur me rezultatet e notave.

Një nga prindërit thotë: “Unë 5 vite e kam vajzën që bën anglisht dhe s’kam pasur shqetësim”.

Por, institucioni arsimor dhe drejtuesit rajonalë vendosën pushimin nga puna të mësuesit, si rast në shkelje të rregullores dhe ligjit që dikton arsimin laik.