
Një sulmues hapi zjarr dhe më pas hodhi veten në erë në portat e xhamisë shiite Khadija Tul Kubra Imambargah në Islamabad të premten, duke vrarë të paktën 31 persona dhe duke plagosur mbi 170 të tjerë. Ky është sulmi më i përgjakshëm në kryeqytetin e Pakistanit gjatë më shumë se një dekade.
Zyrtarët thanë se shpërthimi ndodhi pasi rojet e sigurisë tentuan të ndalonin sulmuesin teksa përpiqej të hynte në kompleks. Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan trupa të mbuluara me gjak mbi tapetet e xhamisë, të rrethuara nga thërrmija xhami dhe mbeturina, ndërsa dhjetra të plagosur qëndronin në oborrin e kompleksit, duke kërkuar ndihmë.
Të mbijetuarit thanë se dëgjuan të shtëna armësh përpara shpërthimit, i cili ndodhi disa sekonda pasi filluan lutjet. Ministri i Mbrojtjes së Pakistanit, Khawaja Asif, njoftoi në rrjetin social X se sulmuesi hodhi veten në rreshtin e fundit të besimtarëve dhe kishte një histori udhëtimesh në Afganistan. Ai akuzoi Indinë për sponsorizimin e sulmit, pa prezantuar prova, shkruan Reuters.
Zyra e Jashtme e Indisë e dënoi sulmin dhe hodhi poshtë akuzat e Pakistanit, duke i cilësuar ato si “të pabaza”.
“Është për të ardhur keq që Pakistani, në vend që të adresojë problemet që po gërryejnë shoqërinë e tij, zgjedh të fajësojë të tjerët për çështjet e tij të brendshme.”
