Vendosni fjalën kyçe....

Përjashtimi i mësuesit që predikonte Jehovain në shkollën në Tiranë, Drejtoria Arsimore: S’jep mësim prej 3 shkurtit


Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me rastin e mësuesit të gjuhës angleze, Dritan Zaimi, i cili në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Gustav Majer” u fliste nxënësve për Dëshmitarët e Jehovait.

Sipas njoftimit të DRAP Tiranë, që prej datës 3 shkurt, Dritan Zaimi është shkëputur nga marrëdhënia e punës dhe nuk ushtron më detyrën e mësimdhënësit në këtë institucion arsimor.

Njoftim mbi rastin e mësuesit të gjuhës angleze në shkollën “Gustav Mayer”

“Në vijim të ankesës së paraqitur nga dy prindër më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Gustav Mayer” ka kryer menjëherë verifikimet përkatëse, në bashkëpunim me shërbimin psikosocial të institucionit. Në kuadër të këtij procesi, drejtoria dhe shërbimi psikosocial kanë hyrë në orën e mësimit të zhvilluar nga mësuesi dhe kanë administruar materialet përkatëse të përdorura gjatë procesit mësimor.

Bazuar në gjetjet e verifikimit, ndaj mësuesit z. Dritan Zaimi janë ndjekur procedurat ligjore dhe institucionale në fuqi. Konkretisht:

  • Më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës i ka përcjellë rastin Komisionit të Etikës (shkresa nr. 29 prot.), i cili u mblodh në të njëjtën datë.
  • Me shkresën nr. 30 prot., Komisioni i Etikës ka referuar çështjen për shqyrtim në Komisionin e Disiplinës.
  • Më datë 03.02.2026, Komisioni i Disiplinës u mblodh dhe, me votim të fshehtë, vendosi me 7 vota pro masën disiplinore “largim nga puna”.

Në zbatim të legjislacionit në fuqi, përfshirë Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe Kodin e Etikës së Mësuesit, Drejtoria e shkollës ka nisur procedurën për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës.

Në respektim të afateve dhe të drejtës për t’u dëgjuar, mësuesi është njoftuar për t’u paraqitur më datë 09.02.2026, me qëllim parashtrimin e qëndrimit të tij lidhur me vendimin e marrë.

Që prej datës 03.02.2026, z. Zaimi nuk ka zhvilluar më orë mësimore në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer”.

Institucionet arsimore mbeten të angazhuara për respektimin e standardeve profesionale, etikës dhe sigurisë së nxënësve, duke vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat përkatëse.”