Vendosni fjalën kyçe....

Kushtetuesja rrëzon Ramën, lë në fuqi pezullimin e Ballukut


Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi pezullimin e zv.kryeminstres Belinda Balluku duke rrëzuar kërkesën e qeverisë. Anëtarët e Kushtetueses u ndanë 4 me 4 në votim. Ata u ngujun që prej orës 11 të paradites së sotme në Dhomën e Këshillimit.

Gjykata Kushtetuese e mori vendimin lidhur me dosjen “Balluku”, pas dy përpjekjeve të mëparshme që nuk sollën përfundim për shkak të kërkesave të disa anëtarëve për kohë shtesë shqyrtimi. Kjo është hera e tretë që trupa mblidhet për këtë çështje, e cila konsiderohet ndër më të ndjeshmet aktualisht për shkak të ndikimit të saj politik dhe institucional.

Prokuroria e Posaçme ka depozituar më herët kërkesë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres, duke e lidhur atë me dyshime për abuzime në procedura të tenderëve të mëdhenj publikë.

Gjykata Kushtetuese ka dalë me një vendim pas përçarjes së gjyqtarëve në dy qëndrime të kundërta mbi çështjen e Belinda Ballukut. Një pjesë e trupës vlerësoi se masa e pezullimit nga detyra ndaj një anëtari të qeverisë kërkon më parë miratimin e Kuvendit, ndërsa pala tjetër argumentoi se një autorizim i tillë nuk është i domosdoshëm. Si pasojë, u la në fuqi vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke rikthyer pezullimin e Ballukut nga funksioni i saj.

Më herët, GJKKO kishte pranuar kërkesën e SPAK për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres, e cila po hetohet për shkelje në procedurat e tenderit të Tunelit të Llogarasë. Ky vendim u kundërshtua nga kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi ndërhyrje në kompetencat e pushtetit ekzekutiv.

Në vijim, Rama e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se GJKKO kishte tejkaluar kufijtë e pushteteve, duke marrë rol që, sipas tij, i takon vetëm kryeministrit në raport me pezullimin ose shkarkimin e anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Pas depozitimit të kërkesës nga kreu i qeverisë, Kushtetuesja vendosi rikthimin e përkohshëm të Ballukut në detyrë, deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes në themel. Ndërkohë, SPAK ka vijuar hetimet, duke e akuzuar Ballukun për shkelje në tenderin prej 190 milionë eurosh të Tunelit të Llogarasë, si dhe duke e hetuar për shtatë procedura të tjera prokurimi që lidhen me ndërtimin e segmenteve të Unazës së Madhe.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, qëndrimi i saj në detyrë përbën rrezik për ecurinë e hetimit, pasi mund të ndikojë në administrimin e provave apo të ushtrojë presion ndaj dëshmitarëve.

Vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese

“Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot në datën 06.02.2026 mori në shqyrtim çështjen me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë me objekt: zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga ana tjetër; shfuqizimi i vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës.

Paraprakisht Gjykata vlerëson njëzëri se imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës në lidhje me nenet 73, pika 1 dhe 2. Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit, ashtu sikurse të deputetit, nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.

Gjykata thekson se sipas Kushtetutës sistemi qeverisës bazohet në parimin e shtetit të së drejtës sipas të cilit edhe ministrat i nënshtrohen ligjit dhe mund të mbahen ligjërisht përgjegjës nëse e shkelin atë. Ndër parimet e tjera themelore janë edhe ato të epërsisë së Kushtetutës si ligji më i lartë dhe zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, detyrimi i shtetit për të vepruar brenda bazës dhe kufijve të së drejtës dhe ndarja dhe balancimi ndërmjet pushteteve legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Në lidhje me objektin e kërkesës, në përfundim të diskutimeve, vlerësimet e gjyqtarëve u ndanë në dy qëndrime dhe Gjykata nuk arriti numrin e kërkuar të votave për vendimmarrje, sipas parashikimeve të nenit 133, pika 2, të Kushtetutës dhe nenit 72, pika 2, të Ligjit Organik të saj.

Sipas njërit qëndrim, Gjykata në jurisprudencën e saj në lidhje me nenin 73, pika 3 të Kushtetutës është shprehur se imuniteti i deputetëve nuk është privilegj personal i tyre, por qëllimi kryesor i tij është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij.

Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese). Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit, synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri.

Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik, vlerësohet se për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit. Prandaj në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushtetit ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve sipas nenit 7 të Kushtetutës edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.

Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imuniteteve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale të parashikuara shprehimisht në nenin 73, pika 2 të saj.

Në këtë dispozitë nuk parashikohet masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit nga detyra sipas nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndonëse zbatimi i kësaj mase pamundëson ushtrimin e funksioneve të ministrit dhe për pasojë ndërhyn edhe në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave. Në këndvështrimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues.

Për sa më lart, Gjykata Kushtetuese vendosi:

Rrëzimin e kërkesës.

Heqjen e masës së pezullimit të caktuar me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 12.12.2025.

Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin e vendimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.”