
Kryetarja e Komisionit për Kulturën, Ina Zhupa, ka akuzuar mazhorancën se ka pranuar publikisht se nuk do të votojë asnjë nismë të depozituar nga opozita, pavarësisht përmbajtjes apo interesit publik që ato mund të kenë.
Në një dalje për mediat, Zhupa deklaroi se kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka pranuar se projektligjet e propozuara nga deputetët e opozitës nuk analizohen për përputhshmëri me Kushtetutën apo për ndikimin e tyre në interesin publik, por vetëm mbi bazën se kush i ka paraqitur.
“Sot më në fund Kuvendi pranoi me zë dhe figurë nga goja e Ulsi Manjës që projektligjet që vijnë nga deputetët e opozitës nuk analizohen nëse i shërbejnë interesit publik apo nëse janë në përputhje me Kushtetutën, por analizohen vetëm kush i ka sjellë,” u shpreh Zhupa.
Ajo shtoi se Manja ka deklaruar tekstualisht: “Ne nuk jemi kundër nismës, por do ta votojmë kundër sepse është sjellë prej jush dhe ne do ta sjellim vetë këtë nismë.”
Sipas Zhupës, ky qëndrim shpjegon pse rreth 60 nisma të deputetëve të opozitës kanë mbetur të bllokuara në sirtarët e Kuvendit.
“Me këtë qëndrim treguan pse rreth 60 nisma të opozitës lihen në sirtarët e Kuvendit: sepse nuk kanë argument për t’i votuar kundër dhe nuk duan t’i votojnë pro,” theksoi ajo.
Zhupa u ndal edhe te projektligji i depozituar prej saj, i cili parashikon ndryshimin e ligjit për arsimin e lartë, duke njohur mësuesit që kanë përfunduar studimet para procesit të Bolonjës si të barasvlershëm me shkollë të lartë dhe master 60 ose 90 kredite, gjë që do t’u mundësonte përfitimin e pagesës së kategorisë.
Sipas saj, bëhet fjalë për rreth 11 mijë e 172 mësues, ndërsa theksoi se arsimi duhet të ketë më shumë fonde se çdo sektor tjetër.
“Do të kemi mësues më të motivuar dhe arsim më cilësor. Arsimi duhet të ketë më shumë fonde se çdo sektor tjetër,” përfundoi Zhupa.