
Konservatorët e Bashkimit Evropian po mblidhen për herë të dytë brenda vetëm një jave, teksa shtojnë bashkërendimin e brendshëm pas një viti të parë të vështirë të mandatit të dytë të Ursula von der Leyen në krye të Komisionit Evropian.
Pas takimit të fundjavës së kaluar të udhëheqësve të Partisë Popullore Evropiane në Kroaci, këtë javë anëtarët e EPP-së në Parlamentin Evropian janë mbledhur në Slloveni, ku po diskutojnë politika me komisionerët e BE-së përgjegjës për mbrojtjen dhe zhvillimin rajonal.
Partia ka në radhët e saj krerë kombëtarë të fuqishëm, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrin polak Donald Tusk, por njëkohësisht përballet me forca opozitare në rritje në të gjithë spektrin politik evropian.
“Populistët në të majtë dhe në të djathtë kundërshtojnë gjithçka pa propozuar asgjë,” deklaroi nënkryetarja e EPP-së, Romana Tomc, duke shtuar se partia do diskutojë se me kë do bashkëpunojë për të sjellë ndryshime në Evropë.
Von der Leyen u ka mbijetuar katër votave të mosbesimit që nga fillimi i mandatit të saj të dytë më 1 dhjetor 2024, ndërsa EPP-ja është forcuar politikisht që prej muajit maj me rikthimin e një kancelari gjerman nga radhët e saj.
Megjithatë, aleatët tradicionalë të grupit në Bruksel, nga qendra e majtë dhe qendra liberale, janë distancuar nga disa prej politikave të EPP-së, veçanërisht ato që janë mbështetur nga e djathta e fortë, si zmbrapsja e rregullave të gjelbra të BE-së, përfshirë shkurtimet në legjislacionin për qëndrueshmërinë e korporatave dhe luftën kundër shpyllëzimit.
Takimi i zhvilluar në Lubjanë është një tjetër tregues i përpjekjeve të Manfred Weberit, kryetar i EPP-së dhe udhëheqës i fraksionit të saj në Parlamentin Evropian, për të shtrënguar proceset e vendimmarrjes dhe për të rritur kontrollin qendror mbi politikat në Komision, Parlament dhe Këshillin e BE-së, i cili përfaqëson qeveritë kombëtare, sipas dy zyrtarëve të partisë.
Weber synon të përdorë ciklet e shpeshta të mbledhjeve të EPP-së për të rritur numrin e pikave të kontaktit ku liderët e qendrës së djathtë dhe zyrtarët e lartë të BE-së mund të takohen dhe të koordinojnë politikat përpara momenteve kyçe në kalendarin politik evropian.
Kjo vjen në një javë veçanërisht intensive për diplomacinë e BE-së, me një takim të ministrave të mbrojtjes në Bruksel të mërkurën, një samit të udhëheqësve evropianë në provincën belge të enjten dhe Konferencën e Sigurisë së Mynihut, e cila nga e premtja deri të dielën mbledh disa nga vendimmarrësit më të fuqishëm në botë.
EPP-ja gëzon përfaqësim të fortë institucional në Bruksel, me von der Leyen dhe presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dy figurat e saj kryesore. Përveç takimeve të rregullta para samiteve, ku udhëheqësit e EPP-së mblidhen përpara Këshillave Evropianë, Weber ka nisur edhe takime vjetore të krerëve kombëtarë, nga të cilat mbledhja e fundjavës së kaluar në Zagreb ishte më e fundit.
“Sa më shumë koordinim të ketë mes grupeve të ndryshme, aq më mirë funksionon sistemi,” tha një zyrtar i BE-së, duke folur në kushte anonimiteti.
“Kjo krijon marrëdhënie dhe mekanizma që parandalojnë dështime të plota të proceseve.”
Në darkat informale të mbajtura të martën përpara seancës plenare të Parlamentit në Strasburg, komisionerët e EPP-së, përfshirë von der Leyen, komisionerin për ekonominë Valdis Dombrovskis dhe komisioneren për teknologjinë Henna Virkkunen, u ulën në tryezë me Weberin dhe nënkryetarët e tij në Parlament.
Sipas një zyrtari të EPP-së, këto darka u planifikuan që në fillim të mandatit dhe u strukturan në mënyrë të tillë që partia të kishte ndikim më të madh në punën e Komisionit. “Qëllimi – dhe nuk do ta fsheh – është të dimë paraprakisht drejtimin ku po shkon Komisioni dhe të ndikojmë që në fazën përgatitore, madje para se propozimet të dalin zyrtarisht,” tha ai.
Samiti i eurodeputetëve në kryeqytetin slloven, që nisi të mërkurën dhe zgjat deri të premten, synon atë që organizatorët e përshkruajnë si “planifikim strategjik”.
Në Zagreb, fundjavën e kaluar, udhëheqësit ranë dakord të punojnë për ta bërë funksionale klauzolën e mbrojtjes reciproke të BE-së dhe ngarkuan dy udhëheqës kombëtarë, ende të paidentifikuar, për të përcaktuar mënyrën se si ajo mund të shndërrohet në një garanci sigurie të pathyeshme. Kjo klauzolë nuk është përdorur kurrë më parë, për shkak të ekzistencës së një dispozite të ngjashme në NATO, por shqetësimi se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mund ta bëjë atë të vjetruar ka shtuar urgjencën për veprim.
Këto lëvizje tregojnë përpjekjen e EPP-së për të ndikuar drejtpërdrejt në drejtimin e politikave të gjera të BE-së dhe për të paraprirë vendimet e rëndësishme të sigurisë dhe ekonomisë që merren nga Komisioni apo nga udhëheqësit kombëtarë, ku duhet të merren parasysh edhe qëndrimet e forcave kundërshtare të qendrës së djathtë.
Anëtarët e partisë theksojnë gjithashtu rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të dokumenteve të qëndrimit politik që EPP-ja publikon rregullisht, të cilat shërbejnë si udhërrëfyes për zyrtarët e lartë dhe drejtuesit e saj.
Përpjekjet për të zbutur pjesë të Marrëveshjes së Gjelbër dhe fushata e vazhdueshme për derregullim burojnë pikërisht nga këto dokumente të hartuara pas mbledhjeve koordinuese.
Në manifestin e saj për vitin 2024, EPP-ja kërkoi krijimin e postit të komisionerit për mbrojtjen, një ide që von der Leyen e realizoi sapo mori detyrën, si dhe derregullimin dhe zbutjen e Marrëveshjes së Gjelbër të BE-së, të cilat u shndërruan në shtylla qendrore të agjendës së saj politike gjatë mandatit të dytë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Politico