Vendosni fjalën kyçe....

Çmimi për ‘Diellën’ në Samitin e Qeverive Botërore, Ibrahimaj: Pasqyron vizionin e Shqipërisë për një model të ri qeverisjeje


Shqipëria ka zënë një vend nderi në World Governments Summit në Dubai, samitin që është një nga platformat më prestigjioze globale të inovacionit,

‘Diella’, ministrja e parë e bazuar në inteligjencë artificiale është vlerësuar me çmimin e parë.

Për ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e pranishme në samit, ‘ Diella’ pasqyron vizionin e Shqipërisë për një model të ri qeverisjeje, ku inovacioni ndërton besim, teknologjia u shërben njerëzve dhe e ardhmja ndërtohet me përgjegjësi dhe qëllim të qartë.

Ibrahimaj deklaroi se qeveria shqiptare do të vazhdojë të investojë në inovacion si një shtyllë kyçe për përmirësimin e shërbimeve publike dhe forcimin e shtetit.

“Prej dy ditësh jam në World Governments Summit në Dubai, një nga platformat më prestigjioze globale ku qeveri dhe liderë nga e gjithë bota mblidhen për të diskutuar të ardhmen e qeverisjes. Në qendër të çdo bisede është inovacioni digjital dhe mënyra se si inteligjenca artificiale mund të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët dhe biznesin, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve publike. Jam veçanërisht e nderuar që këtë vit Shqipëria u vlerësua me çmimin e parë “Future Fit Seal – Global Edition” për Diella, ministren e parë të bazuar në inteligjencë artificiale. Diella u vlerësua si fituese sepse përfaqëson një hap të guximshëm drejt përdorimit të teknologjive të avancuara në administratën publike.

Ajo pasqyron vizionin e Shqipërisë për një model të ri qeverisjeje, ku inovacioni ndërton besim, teknologjia u shërben njerëzve dhe e ardhmja ndërtohet me përgjegjësi dhe qëllim të qartë.Qeveria shqiptare po ndërton një administratë moderne dhe transparente dhe do të vazhdojë të investojë në inovacion si një shtyllë kyçe për përmirësimin e shërbimeve publike dhe forcimin e shtetit, për gjeneratat e sotme dhe ato që vijnë.Diella dëshmon se lidershipi në inovacion nuk përcaktohet nga madhësia e vendit apo e buxhetit, por nga vizioni dhe guximi për të rishikuar modelet tradicionale të qeverisjes. Përmes Diellës, Shqipëria ka vendosur standarde që po frymëzojnë ndryshime edhe përtej kufijve të saj. Ky vlerësim ndërkombëtar na motivon të ecim përpara me edhe më shumë vendosmëri drejt një qeverisjeje të orientuar nga e ardhmja.”, thotë Ibrahimaj.