Vendosni fjalën kyçe....

Berisha denoncon aferë në rrugën Qukës–Qafë Plloç, akuza për fryrje kostosh


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar një tjetër skandal, sipas tij, të lidhur me ndërtimin e rrugës Qukës–Qafë Plloç, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe familjen e tij për përfitime të paligjshme nga kjo vepër publike.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se rruga, e cila ka hyrë në funksion vetëm prej pak kohësh, tashmë po shfaq probleme serioze strukturore, me segmente që janë shembur, çka sipas tij tregon abuzime të rënda në ndërtim dhe në fondet e përdorura.

Sipas Berishës, pas këtij skandali fshihet kompania 2T e ndërtuesit Sako, i cili, sipas kreut të PD-së, ka përfituar qindra miliona euro nga fryrja e kostove të projektit.

“Ndërtuesi Sako arriti të fryjë çmimin e rrugës Qukës–Qafë Plloç nga rreth 320 milionë euro në 430 milionë euro, në mënyrën më të pabesueshme”, deklaroi Berisha.

Ai solli si shembull lotin e tretë të kësaj rruge, me gjatësi 9.3 kilometra, për të cilin tha se nuk përmban as ura dhe as tunele, por ka kushtuar sa mesatarja e kilometrave në Rrugën e Kombit, e cila ka tunele, ura dhe gjerësi shumë më të madhe.

Berisha ngriti gjithashtu akuza për një lidhje të drejtpërdrejtë mes ndërtuesit Sako dhe familjes së kryeministrit, duke pretenduar se ndërtuesi ka financuar ndërtimin e një pallati në zonën e quajtur “Pajë”, i lidhur me bashkëshorten e kryeministrit, Linda Rama.

Sipas tij, për këtë pallat nuk ekzistojnë fatura tatimore, doganore apo ndërtimore dhe se kompania ndërtuese ka paguar edhe taksën e regjistrimit në Hipotekë, duke e regjistruar pronën fillimisht në emër të saj.

“Ky person është shpërblyer me rreth 300 milionë euro për rrugën Qukës–Qafë Plloç dhe këto para, sipas meje, ndahen me Ramën”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së shtoi se e njëjta kompani ka përfituar edhe tenderin e mirëmbajtjes së kësaj rruge, duke e cilësuar këtë si një shembull të qartë të kapjes së fondeve publike dhe korrupsionit në projektet infrastrukturore.

Berisha kërkoi hetim të plotë të çështjes dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë personave të përfshirë, duke theksuar se, sipas tij, kjo aferë është një nga shembujt më të rëndë të abuzimit me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“Ndërtuesi Sako në rrugën Qukes-Qafë Plloc arriti që të fryjë çmimet, fjala është në 320 mln, por në 430 mln euro. Në mënyrën më të pabesueshme. Për të kuptuar se sa u kushtoi shqiptarëve pallati në pajë i gjysmës më të mirë të Edi Ramës, zonjës Linda Rama, do ju jap vetëm shembullin e lotit 3 të kësaj rruge. Loti tre rezulton se ka një gjatësi 9.3 km. Loti tre nuk ka asnjë urë, dhe ka kushtuar saç ka kushtuar km në rrugën e Kombit, me dhjetëra ura, tunele siç e dini vetë dhe me gjerësi 27 m. Besoj se del shumë e qartë se çfarë hajdutesh janë këta. 9 km rrugë në gjerësi 10 m, kushton sa mesatarja e Rrugës së Kombit, me tunele dhe ura, kurse jo pa asnjë tunel dhe urë. Ndaj shemben ato si me qenë shpate kartoni, pasi nuk janë përforcuar. Sako, që mori qindra mln shpërblim për pallatin në pajë, për të cilin ai vetë ka paguar dhe jo zonja Rama, ka paguar dhe taksën e regjistrimit në hipotekë dhe e ka regjistruar në emër të tij, pallatin në pajë. Jo në emrin e familjes Basha, të familjes së saj. Ky person shpërblehet rreth 300 mln euro, që i ndan me Ramën për rrugën Qafë-Plloc. Ky person fiton dhe tenderin e mirëmbajtjes së kësaj rruge.”, tha ai.