
Raundi i dytë i bisedimeve trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara ka përfunduar më 4 shkurt në Abu Dhabi, ndërsa palët kanë rënë dakord të zhvillojnë një tjetër raund negociatash për paqe më 5 shkurt.
Takimet në Emiratet e Bashkuara Arabe u zhvilluan vetëm një ditë pasi Rusia ndërmori sulmin më masiv të këtij dimri kundër Ukrainës, duke rifilluar fushatën që synon shkatërrimin e rrjetit energjetik të vendit.
Megjithëse diskutimet pritej të përqendroheshin në dy nga çështjet më të vështira të pazgjidhura – statusin e rajonit të Donbasit dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën pas luftës, përshkallëzimi i sulmeve ruse ka ngritur pikëpyetje mbi seriozitetin e Kremlinit për bisedime paqeje, përcjell Kyiv Inedpendent.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për shkeljen e armëpushimit njëjavor për energjinë, i cili sipas tij hyri në fuqi më 30 janar, duke deklaruar se Moska lëshoi 71 raketa dhe 450 dronë ndaj Ukrainës gjatë natës së 3 shkurtit.
Fushata disajavore e sulmeve ka dëmtuar rëndë infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke lënë shumë zona të Kievit dhe qytete të tjera pa dritë dhe ngrohje, në kushte temperaturash të ulëta dhe presioni në rritje ndaj vendit të goditur nga lufta, pikërisht në kohën kur po zhvillohen negociatat për paqe.
Sipas Zelenskyt, delegacioni ukrainas do të përshtasë pozicionin e tij negociues në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme.
Nga ana tjetër, Presidenti i SHBA-së Donald Trump, përpjekja njëvjeçare e të cilit për të ndërmjetësuar fundin e luftës ende nuk ka prodhuar një marrëveshje paqeje, mohoi që presidenti rus Vladimir Putin ka shkelur armëpushimin, duke thënë se ai ishte parashikuar të zgjaste vetëm deri më 1 shkurt.
Delegacioni amerikan përfaqësohet nga i dërguari special Steve Witkoff dhe këshilltari i Trumpit dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, të cilët morën pjesë edhe në raundin e mëparshëm të bisedimeve në Abu Dhabi më 23-24 janar.
Delegacioni ukrainas drejtohet nga Umerov, sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, si dhe nga Kyrylo Budanov, ish-shef i inteligjencës, i cili aktualisht shërben si shef kabineti i Zelenskyt.
Pas bisedimeve trepalëshe, grupe të ndara do të vazhdojnë diskutimet për tema specifike, bëri të ditur Umerov, duke shtuar se krerët e shteteve do të informohen rregullisht për ecurinë e negociatave.
Kremlini nuk planifikon të komentojë publikisht rezultatet e raundit fillestar të bisedimeve të 4 shkurtit, sipas zëdhënësit Dmitry Peskov. Ai tha gjithashtu se “dera për një zgjidhje paqësore mbetet e hapur”, por se Rusia do të vazhdojë luftën derisa Ukraina të marrë “vendimet përkatëse”.
Zelensky deklaroi më herët se diskutimet me kryeqytetet perëndimore mbi garancitë e sigurisë kanë përfunduar dhe se Kievi dhe partnerët e tij kanë rënë dakord për një plan shumë-shtresor reagimi, i cili do të përfshinte një ndërhyrje ushtarake të udhëhequr nga Evropa dhe të mbështetur nga SHBA-ja në rast të shkeljeve të përsëritura të armëpushimit nga Rusia.
Koalicioni i Vullnetarëve, një grup vendesh i udhëhequr nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, ka rënë dakord të dislokojë trupa në Ukrainë pas armëpushimit për të ndihmuar në sigurimin e hapësirës tokësore, ajrore dhe detare. Moska, nga ana e saj, ka refuzuar vazhdimisht praninë e trupave perëndimore pas luftës si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme.
Një tjetër pikë e nxehtë mbetet fati i rajoneve pjesërisht të pushtuara të Donetskut dhe Luhanskut, pasi Kremlini kërkon që Ukraina të tërhiqet plotësisht nga këto zona, kusht që Kievi e ka refuzuar.
Raundi i ardhshëm i negociatave ishte planifikuar fillimisht të niste më 1 shkurt, por u shty ndërsa administrata Trump zhvendosi vëmendjen drejt tensioneve të reja me Iranin. Kushner dhe Witkoff pritet të udhëtojnë drejt Stambollit pas bisedimeve në Abu Dhabi për të negociuar një marrëveshje të mundshme bërthamore me zyrtarë iranianë.