
Një shtetas 35-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Tiranë me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Policia njofton se arrestimi u krye nga shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, pas shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën për vendndodhjen e personit të kërkuar.
Sipas njoftimit zyrtar, në rrugën “Dritan Hoxha” u lokalizua dhe u arrestua provizorisht shtetasi A. S., 35 vjeç, banues në Tiranë. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Penale e Peruxhias, në Itali, i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “organizata kriminale” dhe “trafikimi i lëndëve narkotike”.
Interpol Tirana po vijon veprimet procedurale në bashkëpunim me Interpol Romën për përfundimin e procedurës së ekstradimit të 35-vjeçarit drejt Italisë.