Vendosni fjalën kyçe....

Taulant Balla: Ndalimi i rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç është domosdoshmëri


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Kuvend se të rinjtë dhe fëmijët janë grupi më i ekspozuar ndaj rrezikut të drogës, duke theksuar nevojën për rritjen e sigurisë brenda dhe përreth shkollave.

Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se është detyrim i Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Brendshme dhe i të gjithë aktorëve të tjerë institucionalë të forcojnë masat për mbrojtjen e fëmijëve nga shpërndarja e lëndëve narkotike, të cilat sot përfshijnë jo vetëm drogat tradicionale, por edhe substanca të reja të shpallura të paligjshme me ligj.

“Do ta votoja me shumë kënaqësi një vendim për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, një praktikë që po ndiqet nga vende që marrin përgjegjësi si Franca, Spanja dhe Australia”, u shpreh Balla, duke theksuar se një vendim i tillë duhet të merret përmes një konsultimi të gjerë publik.