Vendosni fjalën kyçe....

Replika mes Ballës dhe Boçit për pjesëmarrjen në komision: Inteligjencën e ke nën nivelin mesatar



Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar ndaj vendimeve të opozitës për pjesëmarrjen në mbledhjet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, duke kritikuar mungesën e koherencës të PD-së dhe duke i thënë deputetit Luçiano Boçi:

“Ç’thoni në darkë nuk e thoni në mëngjes. Doli dje ky zotëria dhe tha u tërhoqëm nga bojkoti. Sot jeni tërhequr. Jeni aq kakofonikë sa për një çështje çoheni dy vetë. Nëse keni ndërmend të vini, na e thoni deri në darkë,” tha Balla, duke iu referuar votimit të pikës 12. Ai shtoi edhe një koment ironik, duke sugjeruar demokratëve që të përdorin ChatGPT për të marrë vendime.

Përgjigjen nuk vonoi ta japë deputeti Boçi, i cili e kundërshtoi ironinë e Ballës dhe e quajti të papërshtatshme përdorimin e inteligjencës artificiale për të interpretuar vendimet e opozitës:

“Skam pasur dyshime për inteligjencën e personit parafolës, se e ka nën nivelin mesatar meqë përmend ChatGPT. Ju tërheq vëmendjen kujdes me fjalën. Mbledhja e komisionit thirret në konsultim. Nuk ka pasur konsultime dhe nuk dilni dot, ndaj keni nevojë për ChatGPT, përdoreni. Ne jemi parti që i marrim vendimet vetë, jemi autonomë. Ecin në bazë të rregullores dhe kushtetutës,” tha Boçi.

Replika mes dy deputetëve nxjerr në pah tensionet mes shumicës dhe opozitës për pjesëmarrjen në mbledhjet e komisioneve parlamentare, ndërkohë që afati për vendimin e PD-së për pjesëmarrje skadon sot në mbrëmje.