Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Gogu: Grantet nga IPARD do të vazhdojnë më fuqishëm se më parë


Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, është shprehur se Shqipëria po vazhdon të përfitojë nga fondet e BE-së.

Komentet Gogu i bëri gjatë fjalës së tij në Parlament, ku tha se edhe fondet IPARD të BE-së për bujqësinë do të vazhdojnë të jepen për Shqipërinë, madje edhe më fuqishëm se më parë.

Kujtojmë se në vitin 2023, pas dyshimeve për korrupsion, Komisioni Evropian i pezulloi Shqipërisë miliona euro grante për bujqësinë nga programi IPARD

“I përmenda të gjitha këto detaje për të thënë se bëhet fjalë për standarde europiane, financim me standarde europiane, për financim që prek jetën e përditshme, për auditim europian, ashtu siç u përmend këtu që Shqipëria vazhdon dhe përfiton nga fondet e BE-së, edhe kur në to konstatohen pas auditimeve keqfunksionime. Atherë pezullohen dhe rivazhdon financimi, siç do të jetë edhe rasti i IPARD, i cili do të vazhdojë më fuqishëm se më parë. Nuk kemi vetëm retorikë anëtarësimi”, tha mes të tjerash Gogu.

Gogu tha gjithashtu se anëtarësimi në BE nuk është ndryshim i realitetit brenda orës, por është një ndryshim prej dekadash që kalojnë vendet që aspirojnë anëtarësimin.

Gogu ftoi opozitën që sëbashku të miratojnë marrëveshjet që afrojnë Shqipërinë me BE-në, në mënyrë që standardet e Bashkimit Europian të ndihen sa më parë në jetën e përditshme të qytetarëve.

“E kuptoj fare mirë parodizimin që përpiqet t’i bëhet situatës, sikur anëtarësimi në BE të ishte ndryshimi i realitetit brenda orës dhe jo sikur të ishte ndryshim dekadash që kanë kaluar të gjitha vendet para se ta aksesonin atë. Kështu që e vetmja rrugë që ky Parlament ka është që t’i shqyrtojë me seriozitet të gjitha këto marrëveshje, t’i miratojë ato dhe prandaj i ftoj edhe kolegët e opozitës që të bëhen pjesë, në mënyrë që standardet e BE-së të fillojnë të ndihen në jetën e përditshme të qytetarëve”, tha mes të tjerash Gogu.