Vendosni fjalën kyçe....

“Gjykata Kushtetuese po i shërben dyshes Rama-Balluku me bllokimin e vendimit për zv.kryeministren” – Këlliçi


Nënkryetari i PD-së Belind Këlliçi ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese se po i shërben dyshes Rama-Balluku me ngrirjen e vendimit ndaj ish-zv.kryeministres së akuzuar nga SPAK.

Ai shkruan se shtyrja e vendimit pa shpjegime dhe pa një afat tregon se çështja nuk po trajtohet me seriozitet.

Sipas Këlliçit, dyshes Rama-Balluku i intereson që çështja të zvarritet përtej afatit tremujor, në mënyrë që të bjerë automatikisht.

Ai u bën thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e 10 shkurtit.

“Shtyrja e vendimit për Ballukun nga Gjyjata Kushtetuese, pa dhënë shpjegime, pa shpallur një datë se kur do të shprehen, nuk tregon aspak se kjo çështje po trajtohet me seriozitet.

Përkundrazi!

E vetmja palë që dëshiron që kjo të ndodhë, që të ketë zvarritje pa fund, është e pandehura dhe shefi i saj, Edi Rama. Publiku, qytetarët, taksapaguesit e vendit duan një vendim. Drejtësia nga ana tjetër, është bllokuar, masa e kërkuar nga SPAK ka ngelur e ngrirë. Dhe drejtësia ka nevojë për një vendim.

Por sërish, Kushtetuesja edhe sot la të kuptojë se ka të tjera prioritete. Me vendmin që ka marrë sot, duke mos marrë vendim e duke e shtyrë pa afat, pa transparencë deri më tani, instanca më e lartë në Gjyqësorin tonë, i ka shërbyer dyshes Rama-Balluku.

Eshtë pikërisht kjo dyshe që synon që kërkesa e SPAK të shtyhet e shtyhet, mundësisht të kalojë afatin 3 muaj, në mënyrë që të bjerë automatikisht. Sot janë bërë thuajse 50 ditë që kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për arrestimin e Ballukut.

Edi Rama që përbetohej se nuk do të ndalonte drejtësinë, kësaj radhe e ka bllokuar dhe ka kaluar në sulm frontal ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë çështjen Balluku. Vetëm se i ka ardhur shumë për shtat dhe shumë në favor Gjykata Kushtetuse, pas të cilës ai tanimë po fshihet.

Kjo e sotmja është dhe një arsye më shumë që qytetarët të bashkohen me 10 shkurt në Bulevard.

Bashkimi, rezistenca, forca jonë janë drejtësia që ka nevojë vendi.” – shkruan Këlliçi.