
Ish-presidenti i SHBA-së Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton kanë pranuar të dëshmojnë në hetimin e Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me çështjen e financierit të ndjerë Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale, përcjell AP News.
Avokatët e Clintonëve kanë njoftuar Komisionin e Mbikëqyrjes së Dhomës se të dy janë të gatshëm të paraqiten për dëshmi nën betim, në data që do të bien dakord mes palëve. Ky hap vjen pas disa muajsh negociatash dhe përpjekjesh për të gjetur një formë dëshmie që të përmbushë kërkesat e hetimit parlamentar.
Kryetari i komisionit, republikani James Comer, konfirmoi se oferta për dëshmi është bërë, por theksoi se ende nuk ka një marrëveshje të formalizuar me shkrim mbi kushtet dhe kalendarin e paraqitjes së tyre.
Hetimi i Kongresit ka për qëllim të shqyrtojë rrethanat që lidhen me veprimtarinë e Epstein dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe mënyrën se si institucionet amerikane kanë trajtuar këtë çështje ndër vite. Bill Clinton, ashtu si figura të tjera publike, ka pasur kontakte të njohura me Epstein në të kaluarën, por nuk është akuzuar për vepra penale.